Boksieri argjentinas, Hugo Alfredo Santillan, ka ndërruar jetë në Buenos Aires, për një dëmtim në tru siç raportohet, pas një ndeshje të peshave super të lehta.
Takimi i mbajtur në Argjentinë, përballë uruguaianit Eduardo Javier Abreu, ditën e shtunë, rezultoi fatal për 23-vjeçarin.
Ai filloi të ndjente shqetësime, në momentin që po shpallej fituesi i ndeshjes.Pasi u rrëzua mbi ring, ai u dërgua menjëherë në spital, por gjendja e tij ishte tejet serioze, dhe ai përfundoi në koma, për të mos u zgjuar më.
Hugo Santillan ishte një boksier profesionist që nga viti 2015, ku kishte marrë pjesë në 27 ndeshje (19 fitore, 6 humbje dhe 2 barazime).
Një javë shumë e trishtueshme kjo për botën e boksit, teksa vetëm pak ditë më parë, ishte rusi Maxim Dadashev që pasi ndjeu probleme, ndërroi jetë edhe ai.