Salihu e ka një lutje, mos e mashtroni popullin

Boksi

Salihu e ka një lutje, mos e mashtroni popullin

Nga: Kemajl Goca Më: 3 tetor 2019 Në ora: 14:26
Aziz Salihu

Legjenda e boksit, Aziz Salihu, kërkon që të vijnë njerëz të ndershëm dhe të pa korruptuar si në sport po ashtu edhe në kulturë e në sferat e ndryshme.

“Është momenti që gjatë këtyre dy-tri ditëve të bëhet mirë, i lutem Zotit që mos të vijnë disa njerëz që i kanë bë dëme sportit dhe popullit. E di që populli ynë nuk është budalla, e kemi një popull shumë të mençur dhe që kanë përvojë, ata me përvojën e tyre do të bëjnë një shtet ndër më të mirët në botë. Populli ynë shumë ka hequr, sportistët kanë hequr shumë po ashtu edhe personalitetet tjera, sepse janë udhëhequr disa nga sektorët nga disa të padijshëm. Mos gaboni në zgjedhje, që t’i lini disa që kanë bërë kërdi dhe në kurriz të popullit janë bë milioner. Kjo rini e fortë, e shkolluar, për shkak të krizës ka ikur jashtë vendit. Nuk shkon gjithmonë duke i punësuar militantët e partive politike, e jo njerëzit e merituar.  Kjo rini që u dal jashtë, ka mundur që të bëjnë shumë më shumë për shtetin tonë, jo t’i lejojmë që të shkojnë në shtetin kroat e slloven, të punojnë për 400-500 euro, ndërsa këtu në Kosovë i mohohet e drejta e punës.  Me dhemb zemra kur i shoh rininë tonë në diasporë se çfarë heqin! Nëse vijnë njerëz të rinj, të mirë e të pa korruptuar, do të mendojnë për rini dhe popull. Ta kthejmë sa më shpejt rininë në shtetin tonë, t’u krijojmë kushte.

Unë si sportist i shekullit, kam të drejtë të flas, se kam bërë diçka për këtë Kosovë. E di që mua më kanë lënë në rrugë, por populli s’e meriton të mbetet rrugëve. Kur isha në ish Jugosllavi, isha njëshi, të gjithë e kanë ditur që jam shqiptar i Kosovës dhe që kam boksuar për klubin më të mirë shqiptar Prishtina.

Lëreni korrupsionin dhe idiotizmat që disa po bëjnë nëpër disa hotele. Boll i gënjyet njerëzit dhe në vend që të punojnë e ta ndihmojnë rininë tonë që e kemi të mrekullueshëm. Vijnë disa sportistë dhe rrijnë e flenë në Prishtinë, që nuk kanë qenë kurrë kampion.  Boll me mashtrime e me rrena, sepse jemi lodhur me ju. Lutem që këto zgjedhje të jenë më korrekte dh të fitojë rinia, njerëz që janë për shtet dhe jo për hajni. Të punojmë dhe të investojmë për sportin, por vetëm me njerëz të sportit dhe të kulturës. Mos të lejojmë që njerëz me çizme të malit të na vijnë në institucione sportive. Disave kur iu them që isha tri herë në olimpiadë, mendojnë s’e kam qenë deri në Lipjan e Podujevë.  Kjo është kohë e zgjedhjeve, le të mendojnë pak për të mirën e vendit, jo si Aziz Salihun që e kanë lënë anash, as një vend nuk e kam në Komitet Olimpik as në Federatë të Boksit, as ministri të sportit.

Një njeri që ka prurë medalje të bronztë olimpike e shumë tjera. Besim Hasani, që është i pari i këtij institucioni, e di kush e ka themeluar Komitetin Olimpik dhe me dhjetëra turne kam organizuar në kohën e okupimit kur edhe Serbia me ka marr në bisedë informative.  

Ramadan Selimi ka dal i mençur që ka dhënë dorëheqje nga Federata e Boksit e Kosovës, se e ka pa se nuk janë korrekt kolegët e tij. Është kënaqësi e madhe që Selimi ka dhënë dorëheqje, i cili i ka meritat e veta për punën që ka bërë federata e boksit, por nuk ka arritur asgjë si sportet tjera që kanë avancuar. Në federatë janë dy-tre veta e bëjnë çka dojnë, ndërsa tani do të bëjmë një kryesi tamam sportive me kolegët e merituar të boksit”, tha Salihu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat