Ndeshja spektakolare Joshua vs Ruiz, ky është fituesi - Bota Sot
Ndeshja spektakolare Joshua vs Ruiz, ky është fituesi

Boksi

Ndeshja spektakolare Joshua vs Ruiz, ky është fituesi

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 23:15
Joshua vs Ruiz

Anthony Joshua ka arritur t’i kthejë titujt e botës në kategorinë e peshave të rënda, WBA, WBO, IBF dhe IBO, pasi arriti të fitonte me pikë pas 12 raundesh ndaj Andy Ruiz.

Pasi meksikano-amerikani ia rrëmbeu të gjitha titujt në duelin e tyre të parë më 1 qershor në Madison Square Garden të New Yorkut, menjëherë u aktivizua klauzola për rimeç dhe dueli u zhvendos në Diriyah Arena të Arabisë Saudite për datën 7 dhjetor.

Raundi 1

Fillim i kujdesshëm nga të dy boksierët, të cilët ishin mjaft të fokusuar në minutat e para. Porse, Ruiz pësoi një çarje në vetullën e majtë, ndërkohë që pikët ishin për Joshuan.

Image

Raundi 2

Vazhdoi skema e njëjtë nga të dy boksierët, ndërsa kësaj radhë një çarje po në vetullën e majtë e pësoi boksieri britanik, i cili po bokson në largësi dhe është shumë më i kujdesshëm kësaj radhe.

Raundi 3

Ruiz filloi strategjinë e tij me goditje në trup, ndërsa AJ vazhdonte me përpjekjet për ta mbajtur larg kampionin. Ai ia doli që ta impononte lojën e tij duke vazhduar të rrëmbejë pikë.

Raundi 4

Image

Disa goditje të fuqishme të Joshuas kah fundi i këtij raundi, mirëpo Andy u rikthye dhe për pak sa nuk e rrëzoi, pasi ish-kampioni u shpëtua nga gongu.

Raundi 5

Britaniku u tregua i kujdesshëm në këtë raund, në mënyrë që të mos i ndodhte ajo që i ndodhi në duelin e parë. Dhe ia arriti për mrekulli që ngadalë të kthehej dhe të vazhdonte të merrte pikë duke vazhduar dominimin.

Raundi 6

Joshua lëvizte nëpër ring dhe godite duke shtuar pikët në favor të tijin dhe duke e lodhur kundërshtarin me goditjet e tij. Ruiz bënte luftën e tij tipike dhe e priste momentin për t’iu afruar dhe për t’i dhënë goditje të rënda.

Raundi 7

Objektivi i Ruiz ishte goditja në trupo dhe lodhja e kundërshtarit, duke qenë se Joshua po e dominonte sfidën dhe ishte shumë përpara me pikë. Prandaj, qëllimi i meksikano-amerikanit ishte të fitonte me nokaut. Porse së paku deri në këtë fazë nuk ia lejonte Joshua, i cili megjithatë rrezikoi në disa çaste.

Raundi 8

Kampioni dukej i qetë edhe pse u dominua nga AJ deri në këtë raund. Sa herë që britaniku e lejonte t’i afrohej, rrezikonte shumë. Dhe fundi i këtij raundi ishte në favorin e Ruiz, i cili sërish e luhati baraspeshën e Joshuas, ndërsa ky i fundit sërish u shpëtua nga gongu.

Raundi 9

Image

Sa herë që britaniku tentonte të bëjë boks të fortë, rrezikonte shumë që të nokautohej nga kundërshtari, pasi që Ruiz arrinte t’i durojë goditjet e tij dhe kundërsulmonte fuqishëm, aq sa e luhaste qëndrueshmërinë e AJ.

Raundi 10

Mjaft i kujdesshëm ishte Joshua në këtë raund duke iu shmangur goditjeve të Andyt dhe duke mos iu afruar, teksa jepte goditje nga largësia dhe rrëmbente pikë të reja.

Raundi 11

Vazhdoi taktika e njëjtë e Joshuas duke e mbajtur Ruizin në largësi dhe duke marrë pikë. Boksieri meksikano-amerikan shkonte gjatë gjithë kohës përpara duke e kërkuar triumfin me nokaut, porse britaniku i shmangej gjatë gjithë kohës.

Raundi 12

Joshua i qëndroi larg dhe nuk iu afrua, edhe pse Ruiz e ftonte t’i afrohej për të boksuar, porse brinaku donte ta fitojë meçin me pikë dhe në këtë mënyrë t’i kthente titujt e botës në kategorinë e peshave të rënda, WBA, WBO, IBF dhe IBO.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat