Saqipi: Turneu ndërkombëtar, një eveniment i lartë sportiv - Bota Sot
Saqipi: Turneu ndërkombëtar, një eveniment i lartë sportiv

Boksi

Saqipi: Turneu ndërkombëtar, një eveniment i lartë sportiv

Nga: Sevdail Hyseni Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 12:07
Nexhmedin Saqipi, kryetar i Klubit të Boksit "Tërnoci" dhe trajneri i klubit prof. Ridvan Imeri

Vendet me demokraci të zhvilluara, investojnë më shumë në kulturë, arsim e sport, fusha këto që mbajnë të gjallë shpirtin, mendjen dhe trupin e njeriut dhe të identitetit të tij. Ndërsa, vendet ballkanike investojnë më shumë në biznes, infrastrukturë e politikë, duke e zhveshur njeriun nga të gjitha vlerat e vetëdijes qytetëruese, për ta kthyer atë në një robot pa shpirt e pa ndjenja. Nga kjo shihet qartë se çfarë kemi prodhuar këto 20 vjetët e fundit, investim në beton e jo në kulturë, arsim e sport, prej nga ushqehet njeriu shpirtërisht, shprehet, Nexhmedin Saqipi, kryetar i Klubit të Boksit "Tërnoci".

- Si e shihni zhvillimin e sportit në krahasim me fushat e tjera të veprimtarisë njerëzore?

Saqipi: Këto vitet e fundit, mjerisht, në vendet ballkanike më shumë investohet në biznes, infrastrukturë, politikë e më pak, në kulturë, arsim dhe sport. Kjo mendësi ballkanase, duke investuar më shumë në infrastrukturë, ka prodhuar antivlera, duke favorizuar hajninë, grabitjen, shfrenimin, rebelimin e dukuri të tjera të dëmshme, madje edhe të rrezikshme për shoqërinë tonë. Kur njeriut i krijohet hapësira më shumë të merret me këto dukuri se sa me kulturë, art, fe dhe sport, s'ka se si të emërohet ndryshe veç si një degjenerim moral, që po na kushton shumë shtrenjtë. Shtetet Evropiane dhe bota, Ballkanin e kanë përdorur si vend eksperimental, duke prodhuar "hibrida", njerëz të cilët janë të zhveshur nga ndjenjat kulturore, janë të ngulfatur nga shija për art, sport e vlera të tjera fetare e qytetëruese dhe për pasojë kemi krijuar probleme të shumta, nga të cilat zor se mund të dilet pa një vetëdijesim qytetar. Kulturologët e kanë me të drejtë kur thonë se duhet më shumë investime në kulturën shpirtërore se në atë industriale e materiale, ngase më lehtë e ke ta bartësh një fabrikë nga një vend në një tjetër se sa shpirtëroren, sepse kjo e dyta lyp më shumë kohë, mund dhe sakrifica.

-Si e vlerësoni jetën sportive në Kosovë dhe në krahun e saj lindor, në Luginë të Preshevës?

Saqipi: E thash edhe më lart se investimet në kulturë e sport, janë qesharake. Me ato donacione në nivel lokal dhe shtetëror që sigurojnë klubet sportive, nuk munden t'i heqin shpenzimet e zyrave për një vit e lëre më krijimin e kushteve normale për ushtrime e garime në rang ndërkombëtar. Sportistët e mirë, fituesit e medaljeve me karakter rajonalë, janë ambasadorët e një vendi. Kosova e Lugina e Preshevës, krenohen me sportistët e tyre, të cilat kanë kaluar kufijtë lokalë e shtetërorë, duke u radhitur ndër të parët në Evropë dhe botë. Në këtë drejtim do të kisha veçuar trajnerin e Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, kampionen e Ligës Botërore në Xhudo, pastaj Ridvan Imerin, trajnerin e Klubit të Boksit "Tërnoci", i cili ka nxjerrë tre emra të lartë të boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare, siç është Shefat Isufi etj. Këta dy trajnerë janë duke bërë shumë për sportin shqiptar, me të arriturat e të cilëve, po i japin emër Kosovës dhe Luginës, duke ia shtuar imazhin e kultivimit të një sporti të mirëfilltë, profesional dhe atraktiv.

-E përmendët Klubin e Boksit "Tërnoci", kryetar i të cilit jeni qe disa vjet. Si e vlerësoni punën e tij?

Saqipi: Klubi i Boksit "Tërnoci", tashmë ka bërë emër për kontributin e tij, qoftë në nivel lokal e qoftë edhe në atë rajonal. Unë së bashku me trajnerin prof. Ridvan Imeri, jemi munduar e mundohemi vazhdimisht, që ky Klub, të jap emra meritorë në fushën e sportit. Për mua prof. Ridvani është një hero i madh, i cili pa ndonjë përkrahje serioze komunale e shtetërore, ka arritur të mbajë gjallë jetën sportive në këto hapësira, duke prodhuar kampionë jo vetëm lokalë, por edhe rajonalë dhe ndërkombëtarë. Shtëpia e prof. Ridvanit është shndërruar në një klub boksi, ku ai me fëmijët e tij bëjnë ushtrime dhe marrin pjesë nëpër gara të ndryshme, duke siguruar medalje të ndryshme për merita në këtë sport luftarak.

-Ku e shihni sot mungesën e kulturës dhe sportit në shoqëritë tona shqiptare dhe në institucionet?

Saqipi: Mendoj, se problemi dhe mungesa e edukatës dhe kulturës fizike mungon dhe hetohet te shumica e intelektualëve dhe drejtuesve politikë dhe institucionalë. Për këto vlera, të cilat po na mungojnë, më së miri na porosit Profeti i Zotit Muhamed, duke na këshilluar që të edukohemi nëpërmes sportit me shprehjen e mirënjohur: "Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë!". Kjo është një këshillë dhe vërejtje shumë serioze, sepse pa një trup të shëndosh fizik, mendja nuk mund të funksionoj normal. Mungesa e edukimit fizik është e rrezikshme për njeriun, të cilit i shkakton çrregullime mendore dhe trupore. Filozofët na kujtojnë se njerëzit e zhveshur nga kultura fizike, kanë pasoja shëndetësore dhe janë të rrezikshëm, sepse nuk u funksionon truri. Kjo është dëshmuar se masakrat e mëdha janë bërë nga njerëzit pa dije e kulturë fizike, nga psikopatët dhe politikanët e stresuar, të cilët duhet të rehabilitohen, përndryshe janë të rrezikshëm edhe të na udhëheqin. Gjithashtu, mungesa e edukatës fizike më së tepërmi, për mendimin tim, vërehet nëpër institucionet shkollore e institucionet politike dhe shtetërore. Nga këto mangësi, njeri i sodit më tepër është shndërruar në vegël dëshirash, në tifozllëk, në vend se ai të punon të aftësohet, të angazhohet për t'i treguar vlerat e veta, ndaj si pasojë e kësaj sot njerëzit janë bërë me agresiv, më të dhunshëm, më të patolerueshëm, thjesht në idiotë të llojit të vet. Ç'është e vërteta, shumica e njerëzve sot sportin e keqpërdorin, jo për vlerë, por për antivlerë. Kjo kategori e njerëzve sportin e përdorin, për me qenë të fortë muskuloz, për truproje, për elegancë e për bukuri, për aftësime kriminele, e jo për edukim të trupit, mendjes e shpirtit. Mjerisht, të gjitha këto vlera si kulturën,arsimin, fenë, sportin, informimin e politikën e kanë materializuar duke e shndërruar në biznes, pra nuk e përdorin për edukatë fizike, por për interesa dhe biznese, pa reflektime pozitive.

-Gjatë muajt mars pritet të mbahet turniri ndërkombëtar i boksit “Tërnoci 2020”. Sa jeni të përgatitur në këtë drejtim?

Saqipi: Turniri ndërkombëtar i boksit në Komunën e Bujanocit, tashmë është bërë tradicional. Për çdo vjet organizohet turniri regjional i boksit "Tërnoci 2020", në të cilin marrin pjesë me dhjetëra boksierë nga vende të ndryshme si Lugina, Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Sllovenia. Nëpër këto turnire po triumfojnë djemtë e trajnerit Ridvan Imeri, Arbëri e Flakrimi, të cilët me shkathtësitë tyre prej sportistësh, po na mbushin plot krenari. Po ashtu edhe në këtë meç garues boksierët e kësaj Lugine do ta tregojnë veten me zgjuarsisë, shkathtësi dhe profesionalizëm, falë trajnerit të tyre të palodhur prof. Ridvan Imeri.

-Për fund, një mesazh për sportistë në përgjithësi në Luginë të Preshevës dhe më gjerë?

Saqipi: Sporti është rekreacion atraktiv, zbavitës, sfidues dhe garues. Kush merret me sport nuk mendon keq. Ne kemi nevojë për zhvillimin, afirmimin dhe promovimin e vlerave sportive në këto anët të Luginës së Preshevës dhe më gjerë, duke e larguar sportin nga politike, ngase askush nuk e do dhunën në sport, por demonstrimin e shkathtësive në të gjitha drejtimet me një profesionalizëm të mirëfilltë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat