Fury i reagon Wilderit

Boksi

Fury i reagon Wilderit

Më: 4 mars 2020 Në ora: 17:27
Fury i reagon Wilderit

Tyson Fury ka thënë se e kupton vendimin e Deontay Wilderit për ta fajësuar kostumin, me të cilin eci deri në ring, për humbjen ndaj tij në rimeçin e Las Vegasit, dhe nënvizoi se boksierët gjithmonë kërkojnë të gjejnë arsyetime kur rrihen keq në ring.

Wilderi e pësoi disfatën e parë në karrierën e tij profesionale dhe e humbi titullin në kategorinë e rëndë në WBC, pasi u mposht bindshëm nga Fury në shtatë runde më 22 shkurt në SHBA.

Pas meçit, boksieri amerikan tha se ecja e stërzgjatur deri në ring me një veshje të rëndë, e cila thuhet se peshonte 20 kilogramë, ishte arsyeja kryesore për paraqitjen e tij të dobët në rimeçin e shumëpritur.

Wilder u fut në ring i veshur në një kostum 20 kg të rëndë, të cilin e fajësoi për humbjen

“Ai nuk më lëndoi aspak mua, por fakti i thjeshtë është se uniforma ime ishte tepër e rëndë për mua”, pati thënë Wilder pas rimeçit.

Por tani Fury i është përgjigjur arsyetimit të Wilderit, i cili është bërë objekt talljeje në internet, përfshirë nga disa figura të rëndësishme në boks.

“Ai tha se stërvit duke e veshur një jelek 25 kilogramë të rëndë çdo ditë, por, e dini, e kuptoj nga vjen ai”, tha Fury për ITV.

“Në mendjen e çdo boksieri duhet të jetë një arsye përse ka humbur. Kurrë nuk mund të jetë e thjeshtë për ta ‘humba sepse sonte nuk isha mjaft i mirë’. Gjithmonë është kështu ‘kampi im e pati gabim, ishte faji i trajnerit, ishte faji i kostumit, faji i gishtit tim të madh’. Gjithmonë ia lënë fajin dikujt”, shtoi ai.

Fury këmbënguli se do ta rrahë Wilderin edhe në meçin e tretë mes tyre këtë verë, pas barazimit kontrovers në meçin e parë dhe triumfit në rimeçin e muajit të kaluar.

“E rraha herën e parë, e rraha herën e dytë, dhe natyrisht se do ta rrah edhe herën e tretë”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat