Krasniqi: Grushti ndaj Boesel ishte grushti i 15 viteve, pas meçit ai përfundoi në spital

Boksi

Krasniqi: Grushti ndaj Boesel ishte grushti i 15 viteve, pas meçit ai përfundoi në spital

Më: 15 tetor 2020 Në ora: 13:52
Haxhi Krasniqi

Kampioni i Botës në boks, në kategorinë WBA, Haxhi Krasniqi ka mbajtur një konferencë për media në Prishtinë, ku prezantoi trofetë e fituara dhe foli rreth meçit të cilin e fitoi me nokaut në raundin e tretë kundër boksierit gjermanit Boesel.

Ai deklaroi me këtë rast se ky titull ishte ëndrra dhe suksesi më i madh në jetën e tij, duke shtuar se grushti i dhënë ndaj Boesel, ishte grushti i 15 viteve pritjeje.

Krasniqi: Grushti ndaj Boesel ishte grushti i 15 viteve

“I urojë dhe i përgëzojë të gjithë për fitoren, është një fitore e përbashkët, e di se çdonjëri prej tyre e ka konsideruar dhe iu ka gëzuar këtij suksesi sikur të isha pjesë e familjes së tyre. Është krenari dhe suksesi më i madh në jetën time, kur trojet shqiptare ose kombin tonë shqiptarë. Sidomos shtetin tonë të Kosovës e kam nderuar me këta tituj të botës. Unë e falënderoj çdonjërin prej shqiptarëve sepse kudo që ishin ata, kam pasur mbështetje dhe shumë prej tyre edhe kanë qenë prezent me mua.....Ky grusht ishte grushti i 15 viteve, ishte përvojë, ishte sakrificë, ishte një mbledhje që të gjithë agresivitetin e kësaj loje, gjithë vuajtjet e këtyre 15 viteve, të gjitha këto sfida ishin vetëm në atë grusht”, tha ai.

Krasniqi deklaroi se ai mund të përballet sërish me boksierin gjerman sepse ka një kontratë për të boksuar ndaj tij, por që atij së pari i duhen së paku gjashtë muaj për t’u rikthyer komplet i shëruar.

Krasniqi: Jam gati të përballem sërish me Domenik Boesel

“Unë e kam kontratën për të boksuar kundër Domenik Boesel, por së pari besoj që atij i duhen së paku gjashtë muaj për t’u rikthyer komplet i shëruar, për të qenë i vetëdijshëm, i ushtruar. Unë normal se jam i pajtimit, patjetër, e kam edhe kontratën. Normalisht se me e mbrojte titullin e botës, çdo ndeshje është e vështirë, por besoj që unë i takoj atij vendi ku i marrë me shumë dëshirë përgjegjësitë e mëdha”, tha Krasniqi.

Ai gjithashtu u ka dërguar një mesazh tifozët të futbollit në Kosovë që ta mbështesin Kombëtaren, përkundër rezultateve negative, duke shtuar se edhe ai vetë i ka përjetuar kritikat e mëdha, por që ato vetëm sa e kanë rritur dhe e kanë bërë edhe më të fortë.

Krasniqi: Tifozët duhet ta mbështesin Kombëtaren e Kosovës në Futboll

“I kam përjetuar edhe vetë kritikat dhe nuk është diçka shumë e lehtë t’i përballosh. Normal, kur e arrin njëherë kulmin, do të thotë shumë lartë dhe atëherë mundet me ndodhë që edhe humbja është pjesë e lojës. Unë besoj që edhe humbjet janë sukses shumë i rëndësishëm i karrierës. Humbjet ishin ato që më kanë bërë shumë të fuqishëm. Njeriu pa pasur vuajtje prej humbjes, nuk mundesh me qenë një njeri i fortë, nuk mundesh me pasur një histori, një sukses nëse nuk ke vuajtje, kështu që ata janë profesionist në futboll edhe në jetën normale, e dinë që me kritika duhen me jetuar, me vazhduar dhe kritikat kanë me i bërë edhe më të fortë....Shqiptarëve mundem me iu dhënë një mesazh që nuk është lehtë me kritiku prej kauçit para televizionit, nuk është lehtë me dhënë këso mesazhe kur edhe ata sakrifikojnë shumë sepse janë gjithmonë nëpër rrugë, në kampe“, ka thënë ai.

Në fund, Krasniqi tregoi se rivali i tij në atë meç ka përfunduar në spital.

Krasniqi: Pas meçit, Boesel përfundoi në spital

“Unë jam aq i përgatitur psiçikisht, më i përgatitur se kurrë. Kam pasur në plan që rrezikun më të madh ta marr atë natë, kështu se çfarë do që ndodhë, është pjesë e lojës, është sport dhe normal se njëri prej nesh ka me përfundu në spital dhe ai ka përfunduar në fakt, por shyqyr edhe atij i kanë dalur analizat mirë “, tha Krasniqi.

Në fund Haxhi Krasniqi tregoi se sot, gjatë ditë do të jetë për vizitë në Prekaz duke deklaruar se ndihet i përulur para sakrificës së familjes Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat