Zëvendësministrja e Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani i ka vlerësuar lartë sukseset e arritura nga boksierja kosovare Donjeta Sadiku në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në Turqi.
Sadiku ka fituar tashmë medaljen e bronztë, kurse nesër do të luajë për kualifikim në finale të këtij kampionati, raporton KosovaPress.
Në shkrimin e saj në “Facebook” Osmani ka thënë se me këtë arritje, Donjeta Sadiku po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve të 70-ta e të 80-ta.
Ajo ka shtuar se Donjeta po iu jep përgjigjen më të mirë komunitetit ndërkombëtar se sportistët tanë janë pjesë e elitës botërore, sidomos pas rastit kur vitin e kaluar Serbia nuk e lejoi ekipin kosovar të ishte pjesë e Kampionatit Botëror për meshkuj.
Ky është postimi i polotë i Daulina Osmanit:
Donjeta Sadiku është femra e parë në historinë e sukseseve të boksit të Kosovës që siguroi medalje të nivelit botëror.
Ajo me këtë arritje po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve të 70-ta e të 80-ta.
Përderisa vitin e kaluar Kosovës iu ndalua padrejtësisht pjesëmarrja në kampionatin botëror të boksit për meshkuj nga ana e Serbisë në Beograd, suksesi i Donjetës është përgjigjja më e mirë për të dëshmuar tek komuniteti ndërkombëtar se sportistët tanë janë pjesë e elitës botërore.
Storja e Donjetës e cila mbërthen në vete shumë sakrifica dhe përkushtim do të mbetet pjesë e historisë tonë dhe motiv për sportistët e tjerë.
Bravo Donjeta