Shqiptarja e Kosovës i drejtohet Indisë

Boksi

Shqiptarja e Kosovës i drejtohet Indisë

Më: 14 mars 2023 Në ora: 20:39
Donjeta Sadiku

Boksierja e Kosovës Donjeta Sadiku i ka bërë thirrje qeverisë së Indisë ta rishikojë vendimin e saj dhe ta lejojë të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit me të drejta të plota, si përfaqësuese e Kosovës.

Sadikut, fituese e medaljes së bronztë në Botëror dhe Evropian, iu mohua e drejta për të garuar si shtetase e Kosovës në turneun e boksit që do të mbahet në Nju Delhi.

Qeveria indiane e kishte kushtëzuar atë me lëshimin e vizës, nëse pranon të garojë pa asnjë simbol të Kosovës.

“I bëj thirrje qeverisë së Indisë ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe të më lejojë të garoj për Republikën e Kosovës me të gjitha të drejtat që më takojnë”, thotë Sadiku.

India nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe kjo nuk është hera e parë që ky vend ia ndalon pjesëmarrjen Sadikut në një botëror.

“Pavarësisht se gjatë vitit të kaluar kam fituar medalje botërore dhe evropiane, sot, përsëri po më mohohet e drejta ta përfaqësoj shtetin tim me simbole shtetërore, në Kampionatin Botëror të Boksit që po zhvillohet në Indi.

Ky vendim bie ndesh me të gjitha rregullat dhe ka shkaktuar zhgënjim të madh në mua dhe në të gjithë mbështetësit e mi”.

Ministria e Jashtme e Indisë kishte pranuar të jepte viza për ekipin tonë të boksit fillimisht, para se t’i vinte kushte Sadikut, që të paraqitej në ring dhe jashtë tij pa asnjë simbol shtetëror të Kosovës.

Sadiku shtoi: “Federata e Boksit e Kosovës është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Boksit që nga nëntori i vitit 2014.

Është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe nga të gjithë anëtarët e tjerë për arsye politike.

Unë besoj në fuqinë e sportit për t’i bashkuar njerëzit dhe për të promovuar paqe dhe mirëkuptim midis popujve.”

Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe rrjedhimisht mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat