​Boksieri nga Shqipëria Amar Koqi fiton turneun “Lah Nimani”

Boksi

​Boksieri nga Shqipëria Amar Koqi fiton turneun “Lah Nimani”

Më: 21 maj 2023 Në ora: 18:30
Foto nga vendngjarja

Me organizim të Federatës së Boksit të Kosovës, është mbajtur edicioni i XV i turneut ndërkombëtar të boksit “Lah Nimani”.

Sivjet, përveç garuesve nga Kosova, morën pjesë edhe ata nga Shqipëria, Bullgaria e Maqedonia e Veriut.

Në finale u zhvilluan 11 meçe, në kategoritë nga 48kg deri në 80kg.

Gjatë këtyre dy ditëve u zhvilluan mjaft duele interesante me boks të mirë dhe cilësor.

Pas dueleve interesante, të cilat dhuruan spektakël para të pranishmëve në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, në fund u shpallën më të mirët.

Në fund, epitetin e kampionit të këtij edicioni e fitoi Amar Koqi nga Shqipëria.

Trofeun e më të mirit e dorëzoi Istrefi, i biri i Lah Nimanit.

Tekniku më i mirë u shpall Ivan Hristov nga Bullgaria dhe trofeun e pranoi nga presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës Enver Krasniqi.

Dy legjendat e boksit Aziz Salihu e Fatmir Makolli, i ndanë çmimet për çiftin më luftarak, epitet që e mori dyshja Lumturim Xhoxhaj nga Kosova dhe Ardian Rrustemovski nga Maqedonia e Veriut.

Boksieri më i mirë i huaj u shpall Ruzhdi Rrustemovski nga Maqedonia e Veriut, i cili e pranoi çmimin nga nënkryetari i Federatës së Boksit në Maqedoninë e Veriut, Faton Salihu.

Trofeu i boksierit më Fair-Play u dorëzua nga ish-boksieri Muharrem Gjocaj dhe shkoi në duart e Benjamin Devës nga Kosova.

Në këtë turne u nda edhe çmimi për boksierin më perspektiv, të cilin çmim nënkryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Sylejman Voca e dorëzoi te maqedonasi Bajram Mamutovski.

Ky ishte edicioni i 15-të, i turneut të boksit “Lah Nimani” kushtuar strategut të njohur kosovar të boksit, i cili e kishte drejtuar klubin e Prishtinës drejt 5 titujve të kampionit dhe 6 tjerë të nënkampionit në ish-Jugosllavi.

Ky turne u organizua nga Federata e Boksit në bashkëpunim me Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat