Ndërsa të gjithë presin me padurim 18 majin për duelin e unifikimit të titujve kampionë bote në peshën e rëndë mes Tyson Fury e Oleksandr Usyk, britaniku ka befasuar të gjithë fansat e tij.
Transformimi i trupit të boksierit të pamposhtur Tyson Fury ka qenë një surprizë.
“Gypsy King” nuk ka qenë kurrë kaq i dobët dhe atletik në karrierën e tij, ndërkohë që është vetëm 2 muaj larg përballjes me ukrainasin. Ndjekësit e boksit besojnë se Fury po e merr shumë më seriozisht sfidën me Usyk, pas paraqitjes aspak bindëse në tetor ndaj Francis Ngannou (fitoi me vendim shumice).
Partneri i tij për një kohë të gjatë, Martin Bakole, pohoi se Fury nuk ishte përgatitur siç duhet për luftën e tij me Ngannou, duke thënë: “Tyson nuk ishte 10% i fokusuar në palestër“.
Edhe vetë Usyk sugjeroi se Fury nuk e mori seriozisht luftën, duke thënë: “Po luante rreth e rrotull duke u përpjekur të më mashtronte”.
Megjithatë, Fury duket se ka rritur intensitetin e stërvitjes së tij, duke premtuar se do të mundte kundërshtarin e tij të pamposhtur. Kohë më parë, vetë britaniku pat thënë: “Do të doja të kisha një trup të mire, por nuk kam asnjë shpresë për të pasur një trup të mirë. Jam i shëndoshë”.
Fotot e britanikut me fizikun e tij muskuloz kanë mahnitur fansat, të befasuar nga transformimi i tij dhe këtë gjë e kanë shprehur në komentet e tyre. Duket se Fury kërkon të dominojë në ring, në një duel që pritet të gjenerojë 100 milionë euro fitim. Sfida do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.