Peci krenohet me Majlindën, çuditet me sallën e djegur!

Boksi

Peci krenohet me Majlindën, çuditet me sallën e djegur!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2017 Në ora: 15:37
Xhevdet Peci

Ish boksieri i mirënjohur, Xhevdet Peci, mburret me sukseset e xhudistes Majlinda Kelmendit, por në anën tjetër habitet se si tash e 17 vjet nuk është investuar në rregullimin e palestrës së djegur në Qendrën e Rinise dhe të Sportit në Prishtinë. Majlinda është shpallur “Xhudistja më e mirë e sotme në Botë” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, kjo e bënë krenarë gjithë kombin shqiptar.

“Majlinda është krenaria jonë, e kombit shqiptar. Çmim që rrallë kush prej sportistëve e fiton apo rrallë e hiq mund ta fitojnë atë çmim. Trajneri Driton Kuka ka bërë një punë të hatashme, që ka ndërtuar yjet të sportit, sepse përveç Majlindës ka edhe disa garues jashtëzakonisht të mirë dhe potencial për medalje në çdo garë të madhe!”, tha Peci për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ai më tutje ndihet i trishtuar se si sot nuk e kemi një palestër ashtu si duhet.

“Është mëkat i madh që shteti nuk e ndihmon sportin. Pikërisht është salla që 17 vjet e djegur, askujt nuk i intereson, as kombëtarja e basketbollit e as ajo e hendbollit tani nuk mund t’i zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare, sepse nuk i lejojnë kriteret. Për basketboll kërkohen 3000 ulëse e për hendboll 2500, mjerisht nuk i ka. Me 17 vjet që shkuan, u dashtë me rregulluar sallën që u djegë dhe sot sigurisht do të kishte kapacitetin 10 mijë vende”, thotë Peci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat