Aziz Salihu: Boll i mashtruat!

Boksi

Aziz Salihu: Boll i mashtruat!

Nga: Kemajl Goca Më: 18 shtator 2017 Në ora: 14:32
Aziz Salihu

Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984, Aziz Salihu, aktualisht kryetar i klubit të boksit Prishtina, shpreh revoltën e tij që disa e kanë mashtruar për banesë, po ashtu flet edhe për postin që iu afrua nga Federata e Boksit të Kosovës, si dhe cilat janë arsyet që me 25 shtator do të niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Pas disa problemeve familjare, pas gëzimi më të madh që u bëra gjysh, ky muaj nuk ishte i mirë për mua, sepse ata që me kanë premtuar banesë, nuk ma siguruan atë.

Banesën me premtuan për dhjetë ditë, u bënë tetë muaj dhe nuk ma realizuan. Kisha shumë probleme me qira e më shumëçka tjetër”, ka thënë Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ai është mirënjohës zëvendëskryeministrit të parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli. “Njeriut që i jam mirënjohës dhe me nderoi shumë është Behgjet Pacolli, që gjithmonë me ka ndihmuar dhe më kaloi edhe stresin e fundit, duke me thënë, pasi të kryhen do punë, gjithçka do të rregullohet edhe me ty”, tregon ‘Zizi’. “Premtimet e disa personave, që dihet kush mi ka dhënë, i pafsha me at fytyrë, nuk dua as t’i përmendi me emra dhe le të skuqen ata nga vetvetja.  Kam dëgjuar nga një shqiptaro - amerikan, se banesën e premtuar më kanë dhënë, por kinse mua nuk më ka pëlqyer. Kjo është rrenë. Bile ai shqiptaro-amerikani që e ka lexuar, me tha se ta kishin treguar edhe ndërtesën ku është banesa juaj dhe edhe kontratën.

Këto janë rrena. Kështu me mashtruan për banesë, por pas disave ditëve të gjitha do të dalin në shesh se kush më ka mashtruar”, theksoi ai. “Jam sportist i shekulli, i maltretuar e i rrahur nga regjimi kriminal serbian, ndërsa këta televizionet janë të Kosovës dhe jo të Maqedonisë, sepse lënë anash sportistët e Kosovës, e thërrasin ata nga jashtë vendit, vetëm për t’u lavdëruar që kurrë s’kanë pasur emër në sport. Këto ditë do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse i kam hallet e mija. Nuk mund të shkojë as te mjekët dhe nuk kam as para me paguar qiranë e banesës.

Në SHBA ka njerëz të mirë, që kanë kontribuar shumë dhe janë të mirë. Le të më lënë rehat ata që më premtuan e më mashtruan për banesë”, thotë ish-boksieri i mirënjohur. 63-vjeçari tregon se a do të pranojë postin e Kryetarit të Këshillit Profesional që iu dha nga FBOXK-ja? “Gëzimi im më i madh ka qenë kur kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, me ka thënë se e ke një post dhe zgjidhe cilën të duash. Por, këta kolegët e mi, si gjithë janë kundër meje, sepse janë xhelozë. Shumë sportistë janë në federatë si emra të mëdhenj, si Fadil Vokrri etj. janë kryetar e drejtor. Në federatë disa kanë zaptuar do poste.

I lutem Ramadanit, ta shikojë punën e vetë që ka dhe mund t’i ndihmojë unë shumë këtij kryetarit. Më ka dhënë një post, që thirret Këshilli Profesional, e di që është i madh ky post, por unë mendoj se nuk jam për aty, nuk jam kundër askujt, por e meritojë të jem selektor. Kështu nuk shkon boksi përpara, sepse sikurse t’i kanë kushtet boksierët dhe të isha unë me ta, sot do të kishim edhe medalje olimpike. Nëse nuk arrij si selektor me bërë diçka, jap dorëheqje. Kam pru shumë shtete deri me tash, shumë herë rreth 5 mijë shikues ishin në palestra, e bëra vetëm për boksin. Më mashtrues nuk ngritët cilësia.  Vitin e kaluar kisha me shkuar në SHBA, por sëmundja nuk më lejoi, ndërsa sivjet do të shkojë së pari në New York, pastaj aty ku fitova medaljen olimpike, në Los Anxhelos. Me mua do të jenë Cen Pushkolli e një kameraman. Kam pasur dëshirë të shkojë si federatë, por nuk i pëlqen këtyre xhelozëve këtu që i kam në Kosovë, po shkojë si KBO Prishtina. Do të organizojë një meç ndërmjet Prishtinës dhe boksierëve të New Yorkut. Meçi do të mbahet në stadiumin e Prishtinës, që do të jetë një spektakël i madh”, tha Salihu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat