Kjo është arsyeja e anulimit të meçit Haye dhe Bellew

Boksi

Kjo është arsyeja e anulimit të meçit Haye dhe Bellew

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 17:28
Haye

Revanshi i 17 dhjetorit mes David Haye dhe Tony Bellew është shtyrë, për shkak të një dëmtimi të ish-kampionit të botës Haye. Kjo sfidë ishte e vlefshme për peshat e rënda në boks, ku përballë njëri-tjetrit do të viheshin për herë të dytë brenda këtij viti dy boksierët britanikë. Haye ka pësuar një dëmtim në bicep, që e bën të pamundur zhvillimin e kësaj sfide, e cila ishte planifikuar më 17 dhjetor, në stadiumin “O2 Arena” të Londrës.

Haye dhe Bellew u përballën për herë të parë në mars të këtij viti, me Bellew që fitoi me “KO teknik”, pas një dëmtimi që Haye pësoi në “Thembrën e Akilit”, që e detyroi edhe të kryejë një operacionin. Por pas disa muajsh negociata u ra dakord që dy boksierët të përballen sërish. Pavarësisht këtij dëmtimi në stërvitje të Haye, palët po punojnë që revanshi të zhvillohet në muajt e parë të 2018-ës, ndërkohë që gjatë kësaj jave priten lajme të reja.

“Jam i mërzitur që më duhet të jap këtë lajm, pasi e prisja me padurim këtë përballje të dytë me Bellew, për t’u hakmarrë. Ne po bisedojmë që kjo përballje të zhvillohet në periudhën nga 24 marsi deri më 5 maj të 2018-ës. Pavarësisht zërave se kam qenë i dëmtuar prej kohësh, ju konfirmoj se kam qenë në formë të shkëlqyer, si asnjëherë më parë këto vitet e fundit. Mezi po pres që të rikthehem në ring, për të rishkruar historinë e sfidës time me Bellew. Pësova një incident gjatë një séance stërvitore, ndonëse kam bërë qindra të tilla më parë. Rrëshkita dhe u dëmtova, duke e vërë të pamundur këtë sfidë më 17 dhjetor. Kam nisur që tani procedurat e duhura për rikuperim dhe sapo të jem rikuperuar 100% do të rikthehem në palestër, duke nisur rehabilitimin e krahut brenda 2-3 javëve. I kërkoj ndjesë Tony dhe stafit të tij, fansave tanë që i lashë të zhgënjyer, por ju premtoj se do ta mbyllim këtë sfidë në muajt e parë të 2018-ës”, tha Haye në një deklaratë për mediat, raporton telesport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat