Çudia e Tysonit

Boksi

Çudia e Tysonit

Më: 3 janar 2018 Në ora: 16:05
Tyson

Ka jetuar përherë në kufirin mes të ligjshmes dhe të paligjshmes dhe kjo i ka shkaktuar jo pak probleme në jetën dhe karrierën e tij. Mike Tyson, ish kampion bote në peshat e rënda dhe një nga emrat më të talentuar të boksit, prej shumë vitesh endet mes hijeve të së shkuarës dhe sfidave të së ardhmes.

Në intervistën më të bujshme të viteve të fundit ai u shpreh se ka shpërdoruar rreth 500 milionë euro të fituara gjatë gjithë karrierës dhe tashmë e shikon veten mes 1 mijë telasheve.

Hyrje-daljet në burg për shkak të sjelljeve të tij të dhunshme jashtë ringut por edhe kontraktimi i shumë emrave të dyshimtë për të menaxhuar karrierën e tij, ia boshatisën arkat sa hap e mbyll sytë.

Gjithsesi, ai mbetet përherë një personazh provokues dhe mediatik, prandaj çdo veprim i tij krijon përherë një tymnajë mediatike. Tyson synon të bëhet prodhues marijuane tani që në Kaliforni kjo lloj droge është legalizuar, transmeton Super Sport.

Bashkë me dy ortakët e tij, Robert Hickman dhe Jay Stromen, “Majku i Hekurt” ka privatizuar rreth 16 hektarë tokë në Luginën e Vdekjes ku do të mbjellë marijuanë të cilësisë të lartë për qëllime farmaceutike. Ish boksieri nuk ndalet me kaq pasi ai synon të ngrejë edhe shkollën e kultivimit për t’u mësuar të interesuarve mënyrat më efikase të mbjelljes dhe rritjes së lëndës narkotike.

Gjithsesi, kjo nuk është një risi pasi Tyson ka besuar përherë në efektet kurative të marijuanës dhe ai synon që me zhvillimin e këtij biznesi të ndihmojë edhe në zhvillimin e komunitetit të qytezës Edwards duke i angazhuar banorët e zonës në projektin e kompanisë së quajtur “Tyson Holistic”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat