Gjithçka gati për meçin Krasniqi – Grafka, bëhen matjet zyrtare

Boksi

Gjithçka gati për meçin Krasniqi – Grafka, bëhen matjet zyrtare

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 19:33
Krasniqi dhe Grafka

Janë bërë edhe matjet zyrtare dhe duket të jetë gjithçka gati për meçin Krasniqi – Grafka.

Pothuajse 10 muaj pas humbjes me gjermanin Arthur Abraham boksieri kosovar Haxhi Krasniqi do të zbresë në ring për t’u ndeshur me polakun Bartlomiej Grafka.

Disfata e 22 prillit në Erfurt, ku Robin Krasniqi emri me të cilin 30-vjecari nga Juniku njihet më së shumti, u mund me vendim unanim nga veterani me origjinë armene, është hedhur pas krahëve prej kohësh.

Tani është koha për t’u ringritur dhe për të fituar pozicione në klasifikimin e përgjithshëm, kështu që Haxhi Krasniqi ka në mendje vetëm fitoren.

Sportisti kosovar që bokson për Gjermaninë, vendin ku familja e tij u zhvendos gjatë Luftës së Kosovës është përgatitur më së miri për duelin me Bartlomiej Grafkën, kundërshtarin e tij të radhës, që në Poloni renditet i pesti për nga rëndësia në peshën e mesme dhe që ka humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit.

Në fakt ky duel këtë radhë është i vlefshëm për peshën super të mesme, pra deri në 76 kilogram dhe me vetëm 8 raunde gjithsej.

Haxhi Krasniqi nuk pritet të ketë probleme ndaj një kundërshtari si Grafka, që ka fituar vetëm 20 nga 50 ndeshjet e zhvilluara. Tashmë janë bërë edhe matjet zyrtare dhe duket gjithçka gati për mecin e së shtunës.

Meçi do të zhvillohet në Gjermani në Erdgas Arena, Halle an der Saale, në Sachsen – Anhalt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat