Seldi Qalliu, çift me vajzën e kolegut, fansat dyshojnë se radhën për t’u bërë vjehrri i tij e ka Sabiani

Bota e Yjeve

Seldi Qalliu, çift me vajzën e kolegut, fansat dyshojnë se radhën për t’u bërë vjehrri i tij e ka Sabiani

Më: 1 janar 2019 Në ora: 14:22
Seldi Qalliu dhe Keisi Medini

Disa muaj pasi Seldi Qalliu u nda nga këngëtarja Mimoza Shkodra, ai po vazhdon karrierën e tij në Tiranë, ndërsa e pamë në garën VIP të spektaklit “Dance with Me”.

Ndërkohë që në atë garë e pamë në krah të partneres Rashel Kolaneci, në evente ai shihej në shoqërinë e vajzës së Sabianit, Keisi Medinit. Ata u fotografuan në sfilatën e “Xhoi&Xhei” pak ditë pasi është vënë re një afrimitet i tyre në rrjetet sociale ku shkëmbenin mesazhe apo emoji me puthje e zemra.

Sipas burimeve tona, pas këtij afrimiteti fshihej një bashkëpunim, një këngë e re që pritet të publikohet së shpejti. Dhe Seldi e ka faktuar këtë lajm me një foto çift me Keisin, duke paralajmëruar klipin e tyre të parë që titullohet “S’ka dashni”.

Image
Image

Vajza e mikut të tij, Sabianit, do të jetë kështu këngëtarja e parë në duet me Seldin, pas ndarjes së tij nga Mimoza, fejesa me të cilën u shoqërua me shumë bashkëpunime e koncertet në çift. E duke pasur parasysh këtë strategji të Seldit, fansat kanë filluar me aludimet se ai shumë shpejt do të jetë dhëndri i Sabianit, pranë të cilit shihet së fundi në posterat e koncerteve që mbajnë së bashku.

Direkt pas fejesës me Mimozën, ai realizoi klipin “Dashni”, me një fabul dedikuar historisë së tyre, që nga njohja si kolegë në vitin 2012. Nga ana tjetër, vajzën e Sabianit do e shohim për herë të parë në debutim muzikor pas zërave se do të bashkëpunonte me Noizyn, bashkëpunime që s’u realizuan kurrë, edhe pse ajo u bë pjesë e grupit të tij OTR. Para pesë muajsh, 17-vjeçarja ngriti temperaturat në klipin e të atit.

“Pa ty dashni”, titullohej klipi i Sabianit me Marselin, ku si imazh pamë vajzën e tij aq shumë të komentuar në media për pamjen. Ndërkohë që kishte kohë që flitej se vajza e tij do i hynte muzikës si këngëtare e grupit “OTR”, Sabiani e prezantoi vajzën si modele në klipin e tij.

Keisi është vajza nga martesa e parë e Sabianit, e cila në këtë klip shfaqet me gërshetat e të atit. Ajo është 17 vjeçe dhe u bë e famshme në një kohë të shkurtër, pas një interviste që dha për një televizion të Kosovës. Sipas Sabianit, ajo nuk është vetëm një modele e pëlqyer, por ka dhe zë shumë të bukur në të kënduar.

Për babain e saj, Sabianin, i cili ka një karrierë të gjatë në tregun muzikor, fakti, që e bija e tij po bën bujë në kohë të shkurtër, nuk është rastësi. “E vërteta është që s’e kisha menduar ta bëj të famshme vajzën. Çdo gjë po ndodh në një mënyrë të habitshme nga një miniprezantim që i bëra në një nga intervistat e mia rutinë. Dhe ja, tani s’po ndalen më portalet…” Sa i takon talentit për të kënduar, ai përgjigjet: “Mua më ngjan me Jessie J, por edhe me Rihannën. Ka diksion, ngjyrë, tingull. E çuditshme, i ka dhënë Zoti bukuri dhe vokal të mrekullueshëm!”, thotë ai.

Ndërsa në lidhje me komentet që bëhen për jetën e saj luksoze, përgjigjet: “Jetë luksoze s’mund të them. Por asgjë s’i mungon nga ato që kërkon të ketë e që ka nevojë. S’e kam idenë se kujt i thonë ‘luks’, gjithsesi çdo gjë me një cak dhe pa ekzagjerime”, shprehet Sabiani. Le të shohim se sa talent do të ketë ajo si këngëtare në duetin me Seldin dhe nëse ata do të jenë çifti i ri i showbiz-it për vitin 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat