Historia e Eni Koçit me Genc Prelvukaj përballet me pengesat e para, familja kundër lidhjes me një burrë të divorcuar

Bota e Yjeve

Historia e Eni Koçit me Genc Prelvukaj përballet me pengesat e para, familja kundër lidhjes me një burrë të divorcuar

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:16
Eni Koçi dhe Genc Prelvukaj

Në dhjetor të vitit të kaluar, këngëtari Genc Prelvukaj pranoi publikisht gjatë një eventi në Kosovë, se ishte në një marrëdhënie dashurie me këngëtaren Eni Koçi.

Edhe pse kishin kohë që ishin fotografuar së bashku, vetëm së fundmi ata nisën që të dilnin publikisht në shoqërinë e njëritjetrit, pa u ruajtur nga sytë e mediave.

Këtë deklarim të lidhjes në media, e vulosën me disa foto pushimesh të çiftit në Tajlandë. Por mesa duket, pas zyrtarizimit të lidhjes së tyre, marrëdhëniet mes motrës së Enit, këngëtares së njohur Greta dhe Gencit janë prishur.

E një gjë të tillë e ka pranuar vetë këngëtarja në “Instastory”, teksa i është përgjigjur një ndjekësi, i cili e ka pyetur: “Si i ke marrëdhëniet me Gencin?” “Jemi në krizë momentalisht”, i është përgjigjur Greta, e cila nuk ka preferuar që të japë më shumë detaje rreth kësaj çështjeje.

Por, sipas burimeve pranë çiftit, shkak për këtë krizë është bërë e shkuara e Gencit, i cili, përveç faktit që është 15 vite më i madh se Eni, ka pasur një martesë që ka përfunduar me divorc, nga e cila ka një djalë. I gjithë ky ngërç në familjen e Enit për pranimin e lidhjes ka ndodhur pikërisht këto katër javë, që nga deklarimi i lidhjes së çiftit për festa.

Prej kohësh, aludohej se dy artistët ishin në një lidhje, por këtë të vërtetë ata vendosën ta konfirmonin në atmosferën festive të ndërrimit të viteve, duke shpallur publikisht statusin “në një lidhje” për 2019-n. Pas disa bashkëpunimesh në muzikë, çifti shihej gjithnjë e më shumë bashkë, zërat qarkullonin, por ata nuk e pranonin ende se ishin më shumë se kolegë apo miq.

Çifti mendoi të mos fshihej më, duke u shfaqur bashkë në publik si një çift i konsoliduar dhe i lumtur, në festën e fundvitit, të organizuar nga moderatori Labi. Në prapaskenat e festës së organizuar për ndërrimin e viteve bëri përshtypje videoja, ku u dëgjua edhe konfirmimi i vetë Gencit, i cili pranoi lidhjen me Enin.

E pas këtij konfirmimi publik, nuk kanë munguar fotot nga ana e Enit, në “Instagram”, ku shfaqej shumë e lumtur dhe e dashuruar me Gencin. Vetë këngëtari ka bërë në rrjetet sociale një konfirmim të dytë, ku lançoi këngën e re për këtë vit, “Ylli e Hana”, që dukej një dedikim tjetër për dashurinë e tyre. Ndërkohë që vitin që lamë pas, Enin e pamë me fustan nusërie në sfilatën e Amarda Toskës, së cilës me siguri mund t’i ketë besuar ceremoninë e saj.

HISTORIA E DASHURISË SË ENI KOÇIT ME KËNGËTARIN PASI HODHI PAS KRAHËVE DIVORCIN

Historia e çiftit, Genc Prelvukaj dhe Eni Koçi, u zbulua në 2017-n nga mediat e Kosovës, një lidhje që u pasua nga disa bashkëpunime me klipe. Kujtojmë që 22-vjeçarja ishte e para që hodhi një hap më shumë për të dëshmuar të vërtetën mes tyre pas gjashtë muajsh që kishin nisur të qarkullonin thashethemet e para.

Bashkë me një foto çift me 37-vjeçarin Prelvukaj, ku shfaqeshin të veshur me të bardha, Eni njoftoi për projektin e tyre të ri muzikor, ndërsa shkruante “Vetëm ti” feat Genc Prelvukaj. Kjo këngë u komentua si një përbetim dashurie, që ata i bënin njëri-tjetrit në mënyrë kaq publike.

Pasi këngëtari Genc Prelvukaj u fotografua i kapur për dore me vajzën nga Tirana Eni Koçi, mediat i hynë më thellë marrëdhënies së tyre, duke u marrë me moshën e secilit dhe diferencës që kanë mes njëri-tjetrit, por edhe me statuset personale.

Sipas përllogaritjeve, reperi Genc Prelvukaj është 15 vjet më i madh se Eni Koçi, duke qenë se këngëtarja festoi ditëlindjen e 22-të (05 korrik 1996), ndërsa Genci feston 37-vjetorin, më 16 korrik. Kujtojmë që Genc Prelvukaj është dhe baba i një djali nga martesa e tij, që përfundoi me divorc shumë vite më parë.

Që nga ajo kohë, ai nuk është përfolur asnjëherë në media për lidhje serioze me ndonjë vajzë të njohur, pra, lidhja me Enin është e para. Ai ka një profil serioz në tregun e muzikës, pasi njihet si këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur, me origjinë shqiptare nga Mali i Zi, por i rritur në Prishtinë.

Ai ka mbaruar studimet në Fakultetin Filologjik në degën e Gjuhës Shqipe dhe po ashtu ai ka mbaruar edhe studimet ne Kolegjin Universitar “Fama” për Shkenca Politike.

Përveç punës si këshilltar politik, në mënyrë aktive është pjesë e industrisë së muzikës, ndërsa njihet si kompozitori i grupit “Etno Engjujt”. Ndërsa Eni, që i takon një brezi tjetër këngëtaresh, ka lindur në Berat dhe lëvron muzikën Pop. Ajo ndiqte studimet e larta për Dermatalogji në Londër dhe paralelisht ka publikuar këngë të ndryshme. Le të shohim nëse Genci do të arrijë të ketë martesë të dytë me këngëtaren 15 vite më të re.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat