Jonida Maliqi kritikohet për klipin e këngës së Eurosong, renditja në sondazhe nuk është shumë optimiste - Bota Sot
Jonida Maliqi kritikohet për klipin e këngës së Eurosong, renditja në sondazhe nuk është shumë optimiste

Bota e Yjeve

Jonida Maliqi kritikohet për klipin e këngës së Eurosong, renditja në sondazhe nuk është shumë optimiste

Më: 23 mars 2019 Në ora: 06:36
Jonida Maliqi

Jonida Maliqi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2019 me këngën “Ktheju tokës”. Këtë herë, kjo festë e bukur e këngës do të zhvillohet më 16 maj në Telaviv të Izraelit.

Është përcaktuar gjithashtu që Jonida do të këndojë në natën e dytë gjysmëfinale me shpresën që këngëtarja të përsërisë eksperiencën e vjetshme, ku Eugent Bushpepa arriti të shkojë në finale me këngën “Mall”.

Pas suksesit të Bushpepës, vitin e kaluar në Eurovision, i cili këndoi shqip, edhe Jonida vendosi të ndjekë hapat e tij.

Image

Ajo tashmë i ka realizuar një videoklip shumë të veçantë këngës së saj “Ktheju tokës”. Megjithatë, publikimi i klipit të kësaj kënge është bërë shkak për debate në lidhje me plagjiaturën. Kjo është pikëpyetja e madhe që po shoqëron publikun në një kohë kur klipi ka vetëm tre ditë që iu prezantua jo vetëm shqiptarëve, por zyrtarisht edhe Eurosong Contest.

Kjo është kënga “Children of the Wild” nga artisti Steve Angelo, i realizuar si produksion në vitin 2015, e që mendohet të jetë jo thjesht një burim frymëzimi për këngën shqiptare përfaqësuese në Eurovision, por një burim deri në plagjiaturë.

Megjithatë, deri tani, Jonida Maliqi nuk ka bërë ndonjë reagim mbi këtë fakt, duke preferuar të heshtë dhe të shkojë përpara me përgatitjet e konkurrimit.

Përsa i përket faqes prestigjioze Eurovisionworld.com, ajo tashmë ka hapur një sondazh siç bën çdo vit, ku ndjekësit e këtij aktiviteti kanë mundësi të votojnë këngën e tyre të preferuar, votime që testojnë shijet e publikut, por nuk merren për bazë në votimin zyrtar.

Deri tani, kënga që përfaqëson Shqipërinë është pozicionuar në vendin e 21-të mes 41 këngëve pjesëmarrëse. Ndërsa në vendin e parë deri tani ,me 21% të votave, është pozicionuar Holanda, në vend të dytë Rusia dhe në vend të tretë Suedia.

Në komente të ndryshme në këtë faqe thuhet se Jonida Maliqi është një këngëtare profesioniste, e cila ka dalë në skenë që në moshën 13-vjeçare dhe ambiciet e saj, por edhe mendimi i fansave, është se ajo mund të përsërisë suksesin e Rona Nishliut me këngën “Sus”, një këngë që u pëlqye në masë asokohe. Gjithsesi, ne shpresojmë që Jonida të kalojë në natën finale dhe pse jo të ketë një pozicionim të mirë.

SURPRIZA, JONIDA MALIQI MUND TË KËNDOJË NË TË NJËJTËN SKENË ME MADONËN

Disa portale italiane dhe izraelite kanë shkruar dy ditët e fundit se në skenën e Eurosong këtë vit mund të vijë për të bërë performancat e saj edhe këngëtarja e famshme italo-amerikane, Madonna.

Eurovision Song Contest mund të presë divën e muzikës pop si të ftuar. Burimet thonë se këngëtarja do të performojë dy këngë në natën finale të 18 majit, njëra prej të cilave mund të jetë e re dhe tjera një hit i njohur.

Bëhet fjalë për një pagesë marramendëse, rreth një milion e gjysmë dollarë për të ngjitur në skenën e dell’Expo International Convention Center mbretëreshën e pop rock, shifër të cilën është gati ta paguajë sipërmarrësi miliarder Sylvan, i cili i pyetur për këtë temë ka thënë se po përpiqen për ta realizuar, duke shtuar se, “Stina e Eurovizionit këtë vit po ngroh!” Të shohim nëse do të jetë e realizueshme kjo gjë, e cila padyshim që do ta bënte Eurosongun akoma më të ndjekur.

 

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...