Me kokën pas nga e shkuara? Rrëfehet Blerina Matraku: Do shikoj përpara, pa harruar të kaluarën, që të mos përsëriten gabimet - Bota Sot
Me kokën pas nga e shkuara? Rrëfehet Blerina Matraku: Do shikoj përpara, pa harruar të kaluarën, që të mos përsëriten gabimet

Bota e Yjeve

Me kokën pas nga e shkuara? Rrëfehet Blerina Matraku: Do shikoj përpara, pa harruar të kaluarën, që të mos përsëriten gabimet

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 13:35
Blerina Matraku

Sapo ka sjellë një këngë të shoqëruar me klip me një titull po aq interesant sa edhe vetë klipi, “Unaza”. Ajo unaza e bekuar që të gjitha femrat presin nga dashuria e jetës për ta marrë një ditë. Blerina Matraku e ka sjellë në këtë këngë dhe klip të skalitur aq bukur, sa do të qëndrojë në memorie për shumë kohë.

Klipi i këngës tënde më të fundit “Unaza” është nga ata që të mbetet në mendje. Duke qenë se klipi i përshtatet fabulës së këngës, fabula e këngës të përshtatet ty apo tekstshkruesit?

Fabula e këngës i përshtatet çdo njeriu që ka shumë dëshirë që dashuria e zemrës t’i dhurojë atë të bekuar unazë.

“Unaza” është një baladë mjaft e ndjerë, një produksion nga Irkenc Hyka. Çfarë të bën të rikthehesh te ky kompozitor?

Për këtë këngë është punuar për një kohë të gjatë. Me Irkencin kam bashkëpunuar edhe më parë dhe jemi miq të vjetër, njihemi edhe familjarisht, por më shumë për faktin që ai është shumë i talentuar dhe nuk i rezistova dot këngës sapo e dëgjova.

Nëse do të kishe një histori të ngjashme si ajo e këngës, do të rrije me kokën pas apo do t’i jepje fund të shkuarës për të nisur një jetë të re?

Do të shikoja përpara, por pa harruar të shkuarën, që gabimet të mos përsëriten.

Thonë që: “Dashuria e parë nuk harrohet lehtë, por e dyta është më e fortë”…

Preferoj të mendoj për të parën. (Buzëqesh)

E ke kuptuar çfarë duhet të bësh për të ecur në këtë biznes?

Nuk kam menduar realisht strategji tregu apo të sforcohem që të bie në sy me patjetër. Unë bëj muzikë për pasion dhe mendoj se çdo punë ka një shpërblim nëse bëhet mirë dhe me zemër.

Ka diçka nga e cila ke hequr dorë për t’iu përkushtuar muzikës?

Jam munduar t’i mbaj gjërat në balancë, edhe pse nuk është aspak e lehtë, kështu që nuk më është dashur të heq dorë. Mundohem ta menaxhoj kohën që të arrij t’i bëj të gjithçka çfarë dua.

Zakonisht, kur i pyet këngëtaret se cilin do të zgjidhnin për të bërë një duet, thonë Jay Z. Mos më thuaj që ti do zgjedhësh Beyoncen?

Unë do t’i zgjedh të dy. (Qesh)

Nëse do të të bënin një ofertë për garantimin e një suksesi ndërkombëtar në këmbim të një menaxhimi siç duan ata, do ta pranoje?

Bota e artit në realitet, ashtu funksionon jashtë Shqipërisë. Nëse suksesi do ishte i garantuar, do pranoja, por normalisht, në fillim do të shikoja kushtet e kontratës që do të nënshkruanim.

“Maratona” si po shkon?

Një mrekulli, kemi shkuar në disa qytete, nuk jemi ende as te gjysmat e turneut të “Maratonës” nëpër qytete dhe jam shumë e lumtur për pritjen që na kanë bërë. Shqiptarët e duan këngën, duan muzikën dhe duan artin. Faleminderit që na duartrokisni!

Ndihesh më shumë vet ja në balada apo këngë ritmike?

Në të vërtetë, këngët ritmike janë të bukura dhe mbase shumica e njerëzve i duan, por unë jam adhuruese e baladave.

Si e shpreh lumturinë?

Kur jam e lumtur, e shpreh në çdo gjë që bëj… në të folur, të qeshur, me gjeste… Jam gjithë kohës duke fluturuar nga qejfi. (Qesh)

Gjëja më e bukur që të ka ndodhur këto ditë…

Mesazhet dhe urimet e shumta për këngën e re “Unaza”. Jam ndierë e rrethuar me dashurinë e kolegëve (eve) dhe të artistëve, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për suportin që më dhanë për këngën e re dhe që në mënyrë të vazhdueshme e japin, edhe tani që po bëjmë këtë intervistë. Më në fund po ndodh ajo që unë kisha në vizion, dashuri dhe energji nga të gjithë. Nuk më intereson klikueshmëria e “Youtub-it, por mbështetja e kolegëve dhe perceptimi i artit që bëj.

Ndërkohë, a është klikueshmëria një matës suksesi?

Deri diku, sepse “Youtube” sjell informacionin në publik që një këngë e re ka dalë dhe është në kurbën e duhur, afër 100%. Në momentin që një këngë nuk është e klikuar, ndoshta nuk është përcjellë kënga si duhet në publik, pra për atë që e dëgjon, këndon e suporton, që sigurisht e kanë pëlqyer dhe kanë treguar bashkëpunimin e tyre mbështetës.

Diçka që të mallëngjen?

Një sjellje e mirë.

Çfarë të acaron?

Kur më gënjejnë, duke e ditur që unë e di të vërtetën.

Për ç’arsye do ziheshe me dikë?

Për mua termi zënie nuk ekziston, unë diskutoj dhe kur kam shuuuumë të drejtë, edhe debatoj.

Çfarë ke menduar herën e fundit që je parë në pasqyrë?

Që, sigurisht, nuk jam vajza më e bukur në botë, por jam e lumtur që jam kështu si jam.

Ku nuk do të këndoje kurrë?

Unë nuk e përdor fjalën “kurrë” sepse jetës nuk i dihet.

Me çfarë mendimi bie të flesh?

Bie të fle duke menduar lumturi në fytyrat e njerëzve të dashur dhe të mbarë njerëzimit.

Po ai me të cilin zgjohesh?

Bobo, kjo po që është e vështirë. Vështirë të kem mendim sepse e kam të vështirë të zgjohem. (Qesh) Zgjohem me mendimin se çdo ditë ditë e re është fillim i ri.

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...