Enxhi Çuku: Si e përjetova abortin në filmin bazuar në historinë e vërtetë të Malësisë së Madhe, pse jam pro

Bota e Yjeve

Enxhi Çuku: Si e përjetova abortin në filmin bazuar në historinë e vërtetë të Malësisë së Madhe, pse jam pro

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 16:51
Enxhi Çuku

Historia e vajzës që aborton në filmin me metrazh të shkurtër “Gjyshja”, i Eduart Grishaj, i përloti miqtë artistë të regjisorit gjatë premierës së shquar në Tiranë. Enxhi Çuku ishte protagonistja, e cila hyri nën lëkurën e vajzës që mbetet shtatzënë në moshë të re nga një lidhje e gabuar dhe nëna përpiqet ta kryejë vetë abortin.

Për ekranizimin e një historie të vërtetë të ndodhur në Malisënë e Madhe të viteve ’80 dhe gjithçka përjetoi gjatë xhirimeve të kësaj drame njerëzore, Enxhi flet për “Panorama Plus”.

Nga eksperienca e një filmi për të qeshur siç ishte “Femrat” me Ermal Mamaqin, tani në një film për të qarë si “Gjyshja”. Ku e gjen veten më mirë?

Unë e dua kinemanë. Nuk bëj dallim zhanresh si aktore, por si shikuese e dua dramën. Je protagoniste në filmin e ri “Gjyshja”, ku ngjarjet zhvillohen në Malësinë e Madhe në vitet ’80.

Si po të duket vetja që luan karaktere në retrospektivë, të kohës kur ende s’kishe lindur?

Është shumë intriguese për mua, si Enxhi dhe si aktore, që të mësoj më shumë për karaktere të shumë viteve. Të eksplorosh ndër vite, të zbulosh më shumë gjëra, të marrësh dhe t’i vendosësh në rolin që ke, është një proces pune shumë i bukur, sfidues dhe prandaj më pëlqen kaq shumë aktrimi. Kam gjithmonë më shumë për të mësuar, me shumë sfida. Ka qenë një eksperiencë që e kam shijuar.

Si e përjetove abortin brenda rolit tënd?

…Më prek gjithmonë ai moment në film. Sigurisht, kur isha në rol kisha dhimbjen e personazhit tim, ama dhe kur e pashë në ekranin e kinemasë, historia më dhemb njësoj. Është realitet. Vërtet nuk jam unë që kryej abort, por janë vajza pafund që e kanë jetuar vërtet atë dhimbje. Ndiej dhimbjen e gjithsecilës.

Ke reflektuar ndonjëherë mbi këtë dramë personale dhe ti vetë, je pro apo kundër abortit?

Unë jam pro abortit. Çdo grua ka të drejtën të vendosë për trupin dhe jetën e saj. ‘Asnjë grua nuk abortoi dhe tha e bëra për qejf’, është një shprehje që e kam hasur dhe është e vërtetë.

Duke qenë se filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, ishte më e vështirë apo më e thjeshtë për ty?

Si aktore, nuk ka rëndësi nëse është histori e vërtetë apo jo. Kam po të njëjtën detyrë në të dyja rastet, t’i transmetoj publikut atë që sheh të vërtetë. Janë histori që i kemi dëgjuar jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë aborti është një temë delikate, shumë e diskutueshme.

Sa kimi përjetove me partnerin dhe aktorët e tjerë: Rita Gjekën, Çun Lajçin apo Ema Andrean?

Me aktorët e tjerë pata një marrëdhënie korrekte pune. Bashkëpunues, me të njëjtin synim.

Ç’mund të zbulosh nga puna me regjisorin e filmit, Eduart Grishaj. Çfarë të bëri përshtypje nga puna me të, duke qenë se, ndonëse shumë e re në moshë, ke qenë pjesë e disa kasteve të rëndësishme?

Bashkëpunim shumë i mirë. I vlerësoj te një regjisor komunikimin dhe korrektesën. Eduarti i kishte të dyja.

Eduarti u shpreh se me këtë film do të prezantoheni në festivale ndërkombëtare. Cila është ambicia jote për rolin ?

Festivaleeet! Ky është synimi për të gjithë ata që kontribuojnë në këtë film. Filmi t’ia dalë mbanë. Atëherë jemi të gjithë të fituar dhe po përpiqemi të gjithë që ta përfaqësojmë ashtu siç duhet.

Shumë role për ty në një kohë të shkurtër, ke lidhjet e duhura në kinema, apo je magnet për regjisorët?

Njohjet i kam formuar me kalimin e viteve në këtë fushë. Por as nuk më është dashur t’i përdor dhe as nuk mundem t’i përdor në fakt. Jam gjithmonë prezente nëpër audicione. Kjo është ajo që kam unë në dorë, të shkoj dhe të provoj. Pastaj, pjesa tjetër është zgjedhje e regjisorit. Duhen pyetur ata.

Deri tani, kush ka qenë regjisori apo aktori me të cilin ke ndier vërtet kimi nga puna në sheshxhirim?

Nuk dua t’i ndaj. Marrëdhënie korrekte për sa kohë kemi punuar në një projekt së bashku. I respektoj për mundësinë që më kanë dhënë dhe punën.

E ndien xhelozinë e aktoreve, që s’munden dot të fitojnë qoftë edhe një rol dhe si ta shprehin xhelozinë?

Jam me mendje, fizikisht dhe shpirtërisht e fokusuar te vetja ime, puna ime. Kur je e fokusuar në punën tënde, nuk ke kohë të shohësh ç’ndodh përreth. Kështu ndihem unë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat