Ina Qato: Klikimet janë marketing, s’janë tregues për cilësinë e këngës - Bota Sot
Ina Qato: Klikimet janë marketing, s’janë tregues për cilësinë e këngës

Bota e Yjeve

Ina Qato: Klikimet janë marketing, s’janë tregues për cilësinë e këngës

Nga: Maksim Gjokaj Më: 20 mars 2020 Në ora: 07:55
Ina Qato

Një produksion i ri muzikor, në të cilin kushdo e gjen veten., “Zbrazëti” një pështjellje ndjesish i punuar bukur që vjen përmes tingujve dhe vargjeve, e cila merr tjetër pamje kur e shikon dhe e dëgjon të përfunduar. Mes përjetimesh dhe thënieve të sinqerta, Ina Qato rrëfen të thënat dhe të pathënat e botës së muzikës, pasionin e madh që e ka bërë të prek dyert e suksesit, si dhe mënyrën e natyrshme drejt së cilës synon të rritet profesionalisht.

Ina, sapo ke sjellë një këngë mjaft të bukur me një titull mjaft interesant “Zbrazëti”. Çfarë ke dashur të shprehësh t'i përmes saj?

“Zbrazëti” është publikuar më 25 dhjetor. Është një këngë mjaft e ndjerë, ku përplasen një sërë emocionesh me njëra-tjetrën përgjatë gjithë këngës. Emocionet janë të trishta sa dhe dinamike. Jam munduar që këto emocione t’i përshkruaj edhe më mirë vizualisht në performancën time gjatë klipit. Kënga flet për një histori dashurie të madhe, e cila humbi në një humnerë të madhe zbrazëtie dhe dhimbjeje. Shumë njerëz e gjejnë absolutisht veten në këtë këngë, sepse të gjithë kanë pasur një histori dashurie, e cila është mbyllur ndoshta edhe pakuptim dhe ka lënë pas trishtim. Në këngë nuk flas unë, por flet shpirti dhe ky mendoj që ka qenq çelësi i bukurisë së kësaj kënge.

Image

Kujt i shkojnë meritat për këtë këngë të bukur?

Unë preferoj të jem kantautore në këngët e mia. Një artist nuk mund të jetë artist nëse nuk krijon. Unë dua që të përcjell emocione dhe mesazhe me këngët e mia. Kam kuptuar që kur i shkruan vet kjo ndjehet edhe më shumë nga publiku. E kam parë që preken dhe e përthithin më shpejt. Me këngën “Zbrazëti” kam mbajtur vajzat me facoleta. (qesh) Në momentin që shkruaj mendoj në mënyrë të pandërgjegjshme edhe muzikën, ndaj i bëj të dyja zakonisht. Dua të falënderoj Joniad Banushin për orkestrimin. Ai m’a kuptoi menjëherë atë që kisha në kokë për këtë këngë si dhe DArt Channel për realizimin e klipit. E gjitha ka ardhur në harmoni dhe është transmetuar ashtu siç duhet komplet emocioni i këngës. Kënga “Zbrazëti” klipi i së cilës vjen si një film me metrazh të shkurtër.

Image

Çfarë të pëlqen më shumë te kjo këngë?

Klipi është rrugëtimi i shpirtit në zbrazëti. Jo më kot nis si retrospektivë, ku ndryshojnë shumë shpejt ngjyrat nga bardhë e zi, në ngjyra. Ngrihet kapelja dhe fillon tregimi. Në fillim nuk kupton se çfarë ndodhi, pastaj vjen dhimbja, trishtimi e më pas përshkallëzohet në irritim, urrejtje, rënkim i shpirtit. Kërkohet të harrohet, por në fund bie përsëri në “Zbrazëti”. Aty ulet përsëri koka dhe sinjalizon fundin e tregimit. Të jep ndjesinë sikur dhimbja ka mbaruar, por ka lënë gjurmë.

Të pëlqen muzika kështu siç është?

Tregu ka një shumëllojshmëri muzike dhe këngëtarësh. Ka plot këngë, që unë i ridëgjoj herë pas here në YouTube. Ajo që doja të mos harrohej kurrë është që një tekst, një muzike duhet të përcjellë diçka, duhet të ketë një linje mendimi, një artikulim të mirë, pasi është art, dhe arti duhet të vij bukur edhe kur mesazhi është i trishtë. Muzika nuk duhet kthyer në pazar, përfitim apo dallavere. Nuk është politik, është art dhe shpeshherë nuk ndahen mirë konceptet. Kjo sepse ka pak artistë të mirëfilltë.

Image

Në këto kohë kaosi muzikor, sa e vështirë është të mos biesh pre e kompromiseve në art?

Ah, tani më preke një temë, për të cilën mund të flisja deri nesër në mëngjes. Megjithatë do të mundohem të jap idenë në pak rreshta. Unë e ceka pak më sipër që muzika nuk është politikë, është art. Një artist i vërtet bën kompromise, por që nuk prekin artin që do të përçoj dhe vlerat e asaj që po bën. Nëse këto vlera preken, nëse mesazhi nuk transmetohet siç duhet atëherë kompromisi shkon përtej artit. Nëse shkon përtej artit nuk është më art, por vetëm biznes. Sigurisht, që një artist do të përfitoj nga ajo që bën, ama siç e thashë “nga ajo që bën”, jo nga ajo çfarë kërkon biznesi. Personalisht nuk bëj kompromise të tilla dhe nuk do i bëj kurrë edhe nëse kjo do të thotë të dal nga tregu i pazareve.

Deri tani, të kemi parë me balada… Ka të bëjë kjo me gjendjen tënde shpirtërore apo me faktin që baladat pëlqehen shumë?

Shiko, varet si ndihem në ato momente. Në çastin që unë jam kantautore, patjetër që reflektohet gjendja ime shpirtërore në tekstet e mia. Gjithashtu, kam hedhur shpesh covera baladash. Por, nëse shkoni pak më tej gjeni dhe pasionin tim për muzikën jazz. Madje, mendoj se është muzika që më shkon më për shtat edhe me ngjyrën time të zërit. Vjet kam publikuar një këngë që në fakt ishte ritmike dhe deri diku komerciale dhe before. Ky ishte një bashkëpunim me këngëtarin e ri me moshë, por super të talentuar Aldo Musaku, me të cilin nxora në treg këngën time të parë. Kështu që, dua të them, varet shumë nga gjendja ime shpirtërore, nga frymëzimi im në ato momente.

Image

Cila ka qenë kënga më prekëse që ke dëgjuar deri tani?

Kënga ime e preferuar dhe ajo më prekëse, të paktën për mua është “My immortal”. Teksti, muzika dhe klipi minimalist, por kuptimplotë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat