Halle Berry është një nga emrat e mëdhenj që kanë shkelur tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Kanë 2025 – dhe këtë herë, vëmendja nuk ishte vetëm për faktin që është Halle Berry
Aktorja u shfaq në premierën e Mission Impossible: The Final Reckoning me një fustan të markës Celia Kritharioti – një model me korse dhe fund voluminoz, në ngjyrë rozë, me një bisht të gjatë në ngjyrë të zezë.
Veshja, e kombinuar me bizhuteri Chopard dhe këpucë me takë të zbukuruara me gurë, u konsiderua si një zgjedhje e guximshme — sidomos në kontekstin e rregullave të reja të festivalit.

Pak para fillimit të festivalit, organizatorët përditësuan një dokument që përfshin rregullat e pjesëmarrjes. Ndër ndryshimet më të rëndësishme ishte ndalimi i nuditetit në çdo ambient të festivalit, si dhe theksimi i mëposhtëm:
“Për arsye organizative, veshjet me volum të tepruar, veçanërisht ato me bisht të gjatë, që pengojnë qarkullimin e të ftuarve apo krijojnë vështirësi në ulje, nuk lejohen. Stafi është i detyruar të ndalojë hyrjen në tapetin e kuq për këdo që nuk i respekton këto rregulla.”
Fustani, për hir të së vërtetës, nuk është aspak modest. Pra, vështirë të thuash se Halle Berry ndoqi protokollin, por qartazi, me këtë pamje mbresëlënëse, i bëri organizatorët t’i harrojnë rregullat.
