Céline Dion nderohet me kukullën e saj Barbie, frymëzim nga filmi “Titanic”

Bota e Yjeve

Céline Dion nderohet me kukullën e saj Barbie, frymëzim nga filmi “Titanic”

Nga: Bota sot Më: 14 tetor 2026 Në ora: 18:54
Céline Dion

Ylli kanadez rikthehet në skenë dhe përjetësohet në formën e një kukulle ikonike, e cila rikrijon paraqitjen e saj të famshme në ceremoninë e “Oscar”-ëve më 1998

Këngëtarja e njohur kanadeze, Céline Dion, është përjetësuar në formën e një kukulle Barbie, të krijuar nga prodhuesi i lodrave Mattel, në nderim të karrierës së saj të jashtëzakonshme muzikore.

Kukulla vjen në një periudhë të rëndësishme për këngëtaren 58-vjeçare, e cila po rikthehet në skenë me rezidencën e saj në Paris.

Figurina është frymëzuar nga fustani elegant, ngjyrë blu e errët, me mëngë të gjata, që Dion veshi gjatë interpretimit të këngës ikonike “My Heart Will Go On”, kolonë zanore e filmit “Titanic”, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” në vitin 1998.

Image
Céline Dion

Një tjetër element që bie në sy është varësja blu, e frymëzuar nga gjerdani i famshëm “Zemra e Oqeanit”, i cili luan një rol të rëndësishëm në filmin e vitit 1997, me regji të James Cameron.

Në film, personazhi Rose, i luajtur nga Kate Winslet, e merr gjerdanin si dhuratë fejese nga i fejuari i saj, Caledon Hockley. Bizhuteria shndërrohet në simbol të robërisë së saj dhe më vonë përdoret për ta akuzuar padrejtësisht Jack-un, personazhin e interpretuar nga Leonardo DiCaprio, për vjedhje.

Gjatë performancës së saj në ceremoninë e “Oscar”-ëve më 1998, Céline Dion kishte veshur një kopje të kësaj bizhuterie, duke e lidhur edhe më fort imazhin e saj me historinë kinematografike të “Titanic”.

Duke komentuar nderimin, këngëtarja u shpreh se ishte një privilegj i veçantë të bëhej pjesë e trashëgimisë së Barbie-t përmes një kukulle të frymëzuar nga një prej momenteve më domethënëse të karrierës së saj.

“Është një nder i vërtetë t’i bashkohem trashëgimisë së Barbie-t me një kukull të frymëzuar nga një prej momenteve më domethënëse të karrierës sime. Shpresoj që kjo kukull t’i frymëzojë të gjithë të shprehen me vetëbesim, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të besojnë në fuqinë e zërit të tyre”, deklaroi Dion.

Këngëtarja është rikthyer gradualisht në skenë pas diagnostikimit me sindromën e personit të ngurtë (Stiff Person Syndrome), një sëmundje e rrallë neurologjike që ndikon në muskuj dhe mund të shkaktojë ngurtësi e spazma.

Image
Céline Dion
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat