Keira Knightley tregon se ka vuajtur nga çrregullimet mentale dhe PTSD

Bota e Yjeve

Keira Knightley tregon se ka vuajtur nga çrregullimet mentale dhe PTSD

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 20:45
Keira Knightley

Keira Knightley ka treguar se ka pasur probleme mentale në moshën 22 vjeçare dhe se ishte diagnostikuar me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), duke qenë se kishte pasur probleme me përballjen e përnjëhershme të famës.

Aktorja ka thënë se ishte detyruar të bënte pushim njëvjeçar pas rolit të saj në “Pirates of the Caribbean” dhe “Love Actually”.

Përkundër suksesit, ajo ka pranuar se kritikat për aktrimin e saj e kishin bërë të ndihej e pavlerë. Për këtë arsye, ka pasur frikë të dilte nga shtëpia dhe të përballej me fotografët.

Fama ndërkombëtare e Keiras u rrit shumë shpejt, pas rolit të saj në filmat “Bend it Like Beckham”, “Pirates of the Caribbean” dhe “Love Actually”.

“Është e mahnitshme kur e shikon nga jashtë – thua: ‘Ishte hit pas hiti pas hiti!’. Mirëpo, nga brenda, e gjitha që dëgjon janë kritikat”, ka thënë aktorja në një intervistë për Hollywood Reporter.

Ajo ka theksuar se mungesa e trajnimit për aktrim, e kishte bërë që të përqendrohej te gjërat negative: “Ndihesha sikur isha e pavlerë”.

Kjo gjendje kishte vazhduar edhe pasi ishte nominuar për çmimin Oscar, për paraqitjen e saj në filmin “Pride and Prejudice” (2005).

PTSD

Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) është një çrregullim i ankthit që shkaktohet nga ngjarjet shumë stresuese, frikësuese ose të hidhura.

Ata që vuajnë nga PTSD zakonisht e rikujtojnë ngjarjen traumatike përmes anktheve të natës dhe kujtimeve të shkurtra, ndërsa mund të përjetojnë ndjenjën e izolimit, nervozizmit dhe fajit.

Po ashtu, mund të kenë probleme me gjumin, siç është pagjumësia dhe e kanë të vështirë të përqendrohen.
Këto simptoma shpesh janë të rënda dhe të qëndrueshme duke ndikuar dukshëm në jetën përditshme të personit që vuan nga kjo gjendje.

Knightley ka treguar se më shumë se 20 paparaci e pritnin jashtë shtëpisë duke ia bërë të vështirë që të dilte jashtë. Ajo ka treguar se në një rast nuk kishte dalë nga shtëpia plot tre muaj.

Po ashtu, ishte dashur të merrte terapi për ta parandaluar një sulm eventual paniku gjatë pjesëmarrjes së saj në ceremoninë BAFTA të vitit 2008. Më pas kishte marrë një vit pushim për t’iu nënshtruar terapisë së plotë në mënyrë që ta tejkalonte gjendjen e saj.

Kur iu kthye punës në vitin 2010, Keira thotë se ishte ndier mirë dhe nuk shqetësohej më për të tjerët.

Ariana Grande, Lily Allen, Will Young e Mel B janë disa prej yjeve tjera që kanë folur haptas për problemin e tyre me PTSD.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat