Trump dhe Erdogan diskutojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Siria

Bota

Trump dhe Erdogan diskutojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Siria

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 00:28
Recep Tayyip Erdogan dhe Donald Trump

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ku kanë diskutuar për “tërheqjen e ngadalshme dhe shumë të koordinuar” të trupave të SHBA-ve nga Siria.

Në llogarinë e tij në Twitter, Trump shkroi se zhvilloi një “telefonatë të gjatë dhe produktive” me presidentin e Turqisë, Erdogan.

“Ne diskutuam për ISIS-in, përfshirjen tonë të përbashkët në Siri dhe ‘tërheqjen e ngadalshme dhe shumë të koordinuar’ të trupave të SHBA-ve nga zona. Pas shumë vitesh ata po vijnë në shtëpi”, tha Trump.

Më tej Trump iu referua edhe marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, duke bërë të ditur se, “Ne po ashtu diskutuam tregtinë e zgjeruar thellë”.

Të mërkurën e kaluar, Trump duke cituar disfatën e grupit terrorist njoftoi se trupat e SHBA-ve do të tërhiqen nga vendi i shkatërruar nga lufta. Ai në një video-mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter, tha se “është koha që trupat të kthehen në shtëpi”.

“Djemtë tanë, gratë tona të reja, burrat tanë, të gjithë ata po kthehen në shtëpi dhe ata po kthehen tani”, shkroi Trump.

Sipas raportimeve të mediave, forcat tokësore të SHBA-ve do të largohen nga Siria brenda 60 deri në 100 ditë. Mbetet e paqartë nëse trupat e SHBA-ve në Siri, të vlerësuar rreth 2.000 ushtarë, të gjithë do të largohen menjëherë ose do të tërhiqen gradualisht.

SHBA-të nisën fushatën e tyre ajrore në Siri në vitin 2014, një vit më vonë duke vendosur edhe forca tokësore me synimin për të ndihmuar “partnerët lokalë” të saj në luftën kundër ISIS-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat