Rusia dhe Turqia ranë dakord të koordinojnë operacionet e tyre tokësore në Siri, pas njoftimit për tërheqjen e trupave amerikane. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“U arrit një marrëveshje se si ushtritë e Moskës dhe Ankarasë do të vazhdojnë të koordinojnë veprimet e tyre në terren për çrrënjosjen e kërcënimit terrorist”, tha Sergei Lavrov.
Krerët e diplomacisë e të mbrojtjes së dy vendeve u takuan në Moskë për të diskutuar lidhur me Sirinë. Pas bisedimeve, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha për agjencinë e lajmeve, “Anadollu” se Turqia dhe Rusia kanë qëllimin e përbashkët të pastrimit të territorit sirian nga të gjitha organizatat terroriste.
Takimi vjen pas njoftimit për hyrjen e ushtrisë siriane në Manbixh, qytet i kontrolluar nga kurdët.
Ankaraja e konsideron zonën si tepër të rëndësishme në luftën kundër militantëve të PKK. Ajo nuk e sheh me sy të mirë hyrjen e trupave qeveritare siriane në qytet, ndryshe nga Kremlini që e sheh këtë si një hap logjik drejt rivendosjes së sovranitetit sirian.