Mbi 20 të vdekur nga shpërthimi i gypit të karburanteve në Meksikë

Bota

Mbi 20 të vdekur nga shpërthimi i gypit të karburanteve në Meksikë

Më: 19 janar 2019 Në ora: 08:30
Foto ilustrim

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe 71 janë lënduar në pjesën qendrore të Meksikës nga një shpërthim i një gypi karburantesh, për të cilin dyshohet se është dëmtuar nga hajnat e naftës. Lajmin e ka bërë të ditur qeveria rajonale e Hidalgos, ndërsa viktimat kanë qenë duke mbushur shishe me naftë në momentin e shpërthimit.

Në pamjet e siguruara nga një televizion meksikan është parë flakë e madhe në qiell dhe njerëz që thërrisnin për ndihmë. “Raporti preliminar është shumë serioz, më është thënë se 20 njerëz janë djegur dhe kanë vdekur”, tha guvernatori i këtij rajoni, Omar Fayad, për televizionin meksikan.

Ai u ka bërë thirrje njerëzve që të mos marrin naftë nga gypat në mënyrë ilegale, duke thënë se kështu po e rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ka lansuar një fushatë të rreptë kundër vjedhjes së karburanteve, e cila sipas qeverisë i kushton shtetit më shumë se tre miliardë dollarë në vit.

Gypi i shpërthyer ishte afër rafinerisë shtetërore të Tulas dhe i përkiste kompanisë publike të karburanteve “Petroleos Mexicanos”, e cila përmes një deklarate ka thënë se fajtorë për këtë shpërthim janë hajnat e naftës.

Nisma e presidentit meksikan për luftë kundër hajnave të karuburanteve ka gjetur mbështetje të madhe nga popullsia, ndonëse vendimi i tij për ta transportuar naftën me kamionë ka shkaktuar pengesa në furnizim dhe ekziston frika se ky vendim do ta dëmtojë ekonominë, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat