Kriza në Venezuelë/ Spanja udhëheq BE-në: Jemi kundër çdo ndërhyrje ushtarake

Bota

Kriza në Venezuelë/ Spanja udhëheq BE-në: Jemi kundër çdo ndërhyrje ushtarake

Më: 31 janar 2019 Në ora: 10:06
Ilustrim

Bashkimi Evropian nuk ka marrë një pozicion të qartë sa i përket krizës në Venezuelë, ndërkohë që kërkesa kryesore mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira.

Është Spanja që po udhëheq qëndrimin e BE-së për këtë çështje. Ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrell ka deklaruar se Madridi dhe Brukseli janë në mënyrë radikale kundër çdo ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.

“Sigurisht që BE-ja bashkë me të edhe Spanja janë kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake në mënyrë radikale. Ndërhyrja ushtarake është një shprehje e mallkuar në Amerikën Latine që të çon në kohët që askush nuk dëshiron të kthehet”, deklaroi Borrell gjatë një konference në Nikosa të Qipros.

Presidenti Nicolas Maduro ka akuzuar presidentët e SHBA dhe të Kolumbisë se kanë urdhëruar eliminimin e tij.

“Nëse diçka ndodh me mua, atëherë përgjegjës do të jenë presidenti amerikan Trump dhe presidenti i Republikës së Kolumbisë, Ivan Duque. Kemi një shërbim të mirë të inteligjencës, prandaj nuk ka asnjë dyshim se Trump ka lëshuar një urdhër për vrasjen time. Ai urdhëroi qeverinë dhe mafian në Kolumbi. Trump dhe Duque do të jenë përgjegjës nëse diçka më ndodh mua”, ka deklaruar Maduro.

Gjithsesi, Maduro nuk ka përjashtuar mundësinë që të takohet me presidentin Donald Trump, edhe pse beson se kjo nuk do të lejohet nga këshilltari John Bolton.

Sa i përket presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido, i njohur nga SHBA dhe Shqipëria, Gjykata e Lartë e Venezuelës e ka ndaluar që të largohet nga vendi. Pas këtij vendimi, Uashingtoni ka paralajmëruar për “pasoja serioze” nëse Guaido arrestohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat