Evropa prezanton masa për shmangie nga sanksionet në Iran

Bota

Evropa prezanton masa për shmangie nga sanksionet në Iran

Më: 31 janar 2019 Në ora: 11:59
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas

Gjermania, Franca dhe Britania pritet të prezantojnë një mekanizëm që do t’iu lejojë të bërit biznes në Iran, pa shkelur sanksionet amerikane, ashtu që të mbajnë të gjallë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

I ashtuquajtur mjet me qëllim të veçantë, pritet të hyjë në fuqi më 31 janar, dhe pritet t’iu ndihmojë kompanive evropiane, që kanë interesa biznesore legjitime, të bëjnë biznes përmes disa teknikave në Iran.

Ky plan është zhvilluar në disa faza, andaj agjencia gjermane e lajmeve, dpa, ka raportuar më 30 janar se ky mekanizëm është i gatshëm për t’u prezantuar dhe është fokusuar në fushat që nuk janë të prekura nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

The Wall Street Journal ka raportuar se të trija shtetet kanë nisur procesin e regjistrimit të kësaj teknike, e cila do të mundësonte shkëmbimin e mallrave evropiane dhe atyre iraniane, pa pasur nevojë për transaksione të drejtpërdrejta financiare.

Gjermania, Franca dhe Britania, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen bërthamore së bashku me Shtetet e Bashkuara Rusinë dhe Kinën, kanë punuar intensivisht për të ruajtur paktin, të cilën në maj të vitit të kaluar e braktisur SHBA-ja dhe ka rivendosur sanksionet ndaj Teheranit.

Bashkimi Evropian është duke mbështetur Instrumentin në Mbështetje të Shkëmbimeve Tregtare, mirëpo nuk është i përfshirë drejtpërdrejt, kanë thënë zyrtarët.

Këto masa janë të dizajnuara për të mbrojtur kompanitë evropiane nga veprimet e gjykatës së SHBA-së, si dhe t’iu lejojë atyre të riaktivizohen pas dëmeve që u kanë shkaktuar sanksionet.

Detajet e planit pritet të bëhen publike në një takim joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet më 31 janar në Bukuresht.

Pas negociatave me Iranin, të trija shtetet patën planifikuar të funksionalizojnë këto masa në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo këto shtete kanë hasur në probleme teksa kanë tentuar të minimalizojnë rrezikun e sanksioneve amerikane për kompanitë që veprojnë në Iran.

Megjithatë më 28 janar, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë se “ne jemi në prag të zbatimit të planit tonë”.

Qëllimi i tërë këtyre masave është që të sigurojnë përfitime ekonomike për Iranin, sipas marrëveshjes bërthamore, si dhe këto shtete të sigurohen se Teherani do të zbatojë paktin dhe nuk do të rinisë aktivitetin bërthamor.

“Ne nuk dëshirojmë që Irani të largohet nga kjo marrëveshje dhe të fillojë sërish pasurimin e uraniumit”, ka thënë Maas.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtarë për Energji Atomike, Teherani deri më tani ka vepruar në përputhje me paktin bërthamor, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së.

Megjithatë ky shtet ka vazhduar të testojë raktetet e tij balistike, të cilat sipas Uashingtonit dhe disa vendeve evropiane mund të bartin armë bërthamore.

Teherani në anën tjetër insiston se programi ka vetëm qëllime të mbrojtjes.

Evropa ndërkohë, vazhdon të ketë qasje të ashpër ndaj Iranit, sa i përket programit të raketave balistike.

Më 25 janar, Franca ka thënë se është e gatshme për të vendosur sanksione në Teheran, nëse bisedimet për programin e tij të raketave nuk rezultojnë me ndonjë përparim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat