Afganistani mbledh Kuvendin e Pleqve për të diskutuar rreth bisedimeve të paqes

Bota

Afganistani mbledh Kuvendin e Pleqve për të diskutuar rreth bisedimeve të paqes

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Afganistani është duke planifikuar që ta organizojë një takim të këshillit të lartë të fiseve, ku ato përfaqësohen kryesisht nga persona të moshuar. Ky takim pritet të mbahet muajin e ardhshëm dhe në të do të diskutohet për mënyrën e përfundimit të kryengritjes së talibanëve.

Ky lloj kuvendi, i cili njihet si “loya lirga”, do të mbahet më 17 mars në Kabul, ndërsa në të pritet të marrin pjesë më shumë se dy mijë njerëz. Tubimi do të zgjasë katër ditë, ndërsa bisedimet do të zhvillohen nën një tendë të madhe. Kështu ka deklaruar Umer Daudzai, i dërguar special i presidentit Ashraf Ghani.

Ky këshill është institucion shumë i vjetër në Afganistan. Ai më parë është përdorur për të arritur marrëveshje mes fiseve dhe grupeve të ndryshme etnike. Këshilli i pleqve ka shërbyer edhe për ndërtimin e themeleve të shoqërisë afgane pas periudhës kur vendi udhëhiqej nga talibanët.

Besohet që organizimi i këtij tubimi do të ndikojë që edhe talibanët të përfshihen më lehtë në procesin e dialogut me një grup më të madh të përfaqësuesve në shoqërinë afgane. “Qëllimi kryesor i këtij kuvendi është arritja e marrëveshjes gjithëkombëtare për paqe në vendin tonë”, ka thënë Daudzai, i cili po i udhëheq përgatitjet për këtë tubim, shkruan “Reuters”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat