Demokratët përgatiten për betejën për emigracionin

Bota

Demokratët përgatiten për betejën për emigracionin

Më: 9 mars 2019 Në ora: 10:47
Demokratet

Pas një ngërçi rekord prej 35 ditësh për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, demokratë në Kongres po përparojnë tashmë me propozimet e tyre për trajtimin e problemeve të sistemit të emigracionit. Dhoma e Përfaqësuesve, e cila drejtohet nga demokratët, do të fillojë javën e ardhshme punën për të ofruar mbrojtje për qindra mijëra emigrantë të mbërthyer në një paqartësi ligjore prej politikës së administratës Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Catherine Gypson, njofton nga Kongresi për debatin politik që do të vijojë.

Për tre muaj, debati për një rrethim kufitar në kufirin jugor nuk e lejoi Dhomën e Përfaqësuesve, të udhëhequr nga demokratët, që të krijonte axhendën e saj për emigracionin. Kjo po ndryshon tashmë.

“Është jetësore që të miratojmë ligje për t’u dhënë një shans qindra mijëra emigrantëve që e quajnë vendin tonë atdheun e tyre. Duhet t’u qëndrojmë vlerave tona amerikane”, tha Ligjvënësi demokrat, Joaquin Castro.

Qindra mijëra emigrantë pa dokumenta të sjellë fëmijë në SHBA, apo refugjatë që iu larguan luftërave dhe katastrofave natyrore, mbroheshin nga disa programe që administrata Turmp tashmë i ka ndalur ose kufizuar ndjeshëm.

“Nuk po traumatizohen vetëm individët që kanë qenë të mbrojtur. Po traumatizohet vendi. Për cilën arsye do të donim një shkencëtar të largohet nga SHBA-ja? Apo, një student të mjekësisë që do të na ofronte shërbim shëndetësor?”, u shpreh Ligjvënësja demokrate, Zoe Lofgren.

Ligjvënësit demokratë pritet të fillojnë punën javën e ardhshme për një projektligj që do të mbronte këto grupe emigrantësh. Por, republikanët thonë se këto përpjekje janë humbje kohe, pa një reformim më të gjerë të sistemit të emigracionit.

“Republikanët do të kundërshtojnë çdo truk që ofron legalizim masiv dhe shmangie të zbatimit të vërtetë të ligjit”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Zyrtarët më të lartë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare u thanë ligjvënësve se akordimi i shtetësisë për emigrantët e paligjshëm të sjellë në moshë të mitur në SHBA, do të nxiste emigracionin e paligjshëm.

“Pra, nuk mendoni se janë rrezik për sigurinë apo për ekonominë, por nuk mbështesni që t’u jepet një shans drejt nënshtetësisë?”, tha Ligjvënësja demokrate, Dina Titus.

“Nuk do të mbështes hapa që do ta vazhdojnë krizën e sigurisë në kufi”, tha Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen.

Shqetësim kryesor për demokratët është politika për ndalimin e familjeve nga Agjensia e SHBA-së për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit.

“A po vazhdojmë sot t’i mbajmë fëmijët në kafaze?”, pyeti Ligjvënësi demokrat Benniee Thompson.

“Fëmijët merren në stacionet kufitare që ju keni vizituar...”, tha zonja Sekretarja Nielsen.

“I kam parë kafazet. Dua vetëm që ta pranoni që ekzistojnë”, këmbënguli Ligjvënësi Thompson.

“Zotëri, nuk janë kafaze. Janë zona që janë caktuar për të mbajtur të sigurtë dhe të mbrojtur ata që mbahen gjatë përpunimit të dokumentacionit të tyre”, tha Sekretarja Nielsen.

Demokratët në Senat thonë se fëmijët që mbahen në kufi meritojnë kujdesin e duhur shëndetësor dhe përfaqësim ligjor. Ata po paraqesin një seri projektligjesh për këtë qëllim.

“Sistemi që ishte krijuar për t’u marrë me meshkujt beqarë që vinin nga Meksika nuk ka kapacitetin të trajtojë fëmijët. Duhet pra të merremi me këtë çështje”, tha Senatorja demokrate, Mazie Hirono.

Por, projektligje të tilla nuk kanë shanse të miratohen në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ndërkohë që përpjekjet në Dhomën e Përfaqësuesve për masa mbrojtëse për emigrantët e sjellë në moshë të mitur dhe refugjatët, kanë fituar edhe mbështetje dypartiake për të ofruar një shans drejt përfitimit të nënshtetësisë amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat