Ligjvënësit e BE-së përkrahin paktin për bashkëpunim me Afganistanin

Bota

Ligjvënësit e BE-së përkrahin paktin për bashkëpunim me Afganistanin

Më: 13 mars 2019 Në ora: 14:42
Flamuj të Bashkimit Evropian.

Parlamenti Evropian ka mbështetur një kornizë ligjore për bashkëpunim në mes të bllokut evropian dhe Afganistanit, duke dërguar marrëveshjen edhe një hap afër ratifikimit.

Një total prej 513 ligjëvënësve kanë mbështetur Marrëveshjen për Partneritet dhe Zhvillim mes këtyre dy palëve, derisa 85 deputetë kanë votuar kundër.

Kjo marrëveshje, e cila është cilësuar si “lidhja e parë kontraktuale” në mes të BE-së dhe Afganistanit, është nënshkruar nga të dyja palët në shkurt të vitit 2017, çka ka rezultuar me zbatim të përkohshëm të saj prej dhjetorit të vitit të kaluar.

Zbatimi i plotë i këtij pakti tani është subjekt i ratifikimit nga parlamenti kombëtar dhe disa trupa të tjerë rajonalë të shteteve anëtare të BE-së.

Kjo marrëveshje përfshin bazën për dialog të rregullt politik, duke përfshirë të drejtat e njeriut, bashkëpunimin në fusha të ndryshme, siç janë ato ligjore, shëndetësore dhe edukative.

Ky pakt po ashtu parasheh plan veprimi për luftim të korrupsionit, shpëlarjes së parave, financimit të terrorizmit, krimit të organizuar dhe narkotikëve.

Ky votim ka ndodhur një ditë pasi talibanët dhe negociatorët amerikanë janë pajtuar për mbajtjen e një raundi të ri të bisedimeve në Katar, me qëllim të përfundimit të luftës afro 18-vjeçare në Afganistan. Të dyja palët kanë thënë se negociatat kanë pasur përparim në raundin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat