Presioni ndaj kompanisë Boeing

Bota

Presioni ndaj kompanisë Boeing

Më: 14 mars 2019 Në ora: 17:52
Boeing

Pas një presioni të madh nga brenda dhe jashtë vendit, qeveria amerikane ka pezulluar fluturimin e të gjithë avionëve Boeing 737 Max 8 dhe 9. Presidenti Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv pasi Kanadaja njoftoi se ka të dhëna të reja satelitore që tregojnë ngjashmëri mes rrëzimit të dielën të avionit të kompanisë Ethiopian Airlines dhe atij të kompanisë indoneziane Lion Air në muajin tetor.

Avioni 737 Max 8, prodhimi më i shitur i firmës Boeing, nuk do të fluturojë më në qiellin amerikan, pasi Presidenti Trump deklaroi një urdhër urgjent për pezullimin e tij.

"Nuk dua që të marrim rrezik mbi vete. Nuk kishim pse ta merrnim sot këtë vendim. Mund ta kishim shtyrë, ndosha nuk kishim pse ta merrnim fare, por unë mendoj se është i rëndësishëm si nga ana psikologjike, edhe për arsye të tjera,”- tha Presidenti.

Ditën para njoftimit të zotit Trump, drejtori ekzekutiv i kompanisë Boeing, Dennis Muilenburg, bisedoi në telefon me Presidentin dhe e siguroi atë për sigurinë e avionit.

Duke qenë një kontraktor i rëndësishëm për ushtrinë, Boeing është edhe një forcë kryesore lobizmi në Washington. Kompania dhuroi një milion dollarë për fondin e inaugurimit të presidentit dhe zoti Trump e ka cilësuar mik shefin e kompanisë.

"Është një vendim shumë i vështirë, po të kemi parasysh një kompani si Boeingu. Është një kompani e shkëlqyer, fenomenale,”- tha Presidenti.

Përmes një deklarate, kompania tha se është dakord me ndalimin e përkohshëm të avionëve, por se “vazhdon të ketë besim të plotë tek siguria e modelit 737 Max."

Aksionet e kompanisë Boeing ranë 15 për qind pas rrëzimit të avionit në dielën.

Avionët 737 Max 8 janë rrëzuar dy herë brenda 5 muajve, duke vrarë gjithsej 350 njerëz.

Disa orë pas njoftimit të Presidentit Trump, Kanadaja ju bashkua dhjetra vendeve të tjera që ndaluan fluturimin e këtij lloj avioni.

"Informacioni i ri që kemi, lë të se ekzistojnë ngjashmëri, ndonëse ende të paprovuara, mes të dy rasteve të rrëzimit të avionëve.”- tha Ministri kanadez i Transportit.

Autoritetet në Etiopi kanë gjetur dy kutitë e zeza të avionit dhe i kanë dërguar për t’u analisuar jashtë vendit. Të dhënat e fluturimit dhe regjistrimi i zërave në kabinën e pilotit do të sjellin informacione të rëndësishme për shkakun e rrëzimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat