Bashkë kundër terrorizmit, liderët botërorë reagojnë pas sulmit në Zelandë

Bota

Bashkë kundër terrorizmit, liderët botërorë reagojnë pas sulmit në Zelandë

Më: 15 mars 2019 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Liderët botërore kanë reaguar pas sulmeve terroriste në Zelandë të Re ku janë raportuar rreth 50 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Kancelarja gjermane, Anglea Merkel, tha se bota sot është e bashkuar kundër terrorizmit.

“Jam thellësisht e pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Christchurch. Ndjej pikëllim për qytetarët e Zelandës së Re të cilët u bënë viktima të urrejtjes raciste ndërsa po luteshin në mënyrë paqësore në xhamitë e tyre. Ne qëndrojmë së bashku kundër këtyre akteve të terrorizmit”, deklaroi Merkel.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, ngushëlloi për jetët e humbura.

“Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet e mia më të thella për popullin e Zelandës së Re pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Christchurch. Mendimet e mia janë me të gjithë ata të prekur nga ky akt”, tha May.

Ndërsa presidenti i Komisionit Evropian, Donald Tusk, e ka përshkruar ngjarjen si lajm të trishtueshëm.

“Sulmi brutal në Christchurch nuk do të zbehë tolerancën dhe mirësjelljen për të cilën njihet Zelanda e Re. Mendimet tona në Evropë janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi Tusk në Twitter.

Këtë sulm e ka dënuar edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke thënë se janë bashkë kundër atyre që duan të shkatërrojnë shoqëritë tona.

“Ky akt brutaliteti i pakuptimtë ndaj njerëzve të pafajshëm në vendin e tyre të adhurimit nuk mund të ishte më i kundërt me vlerat dhe kulturën e paqes dhe unitetit që Bashkimi Evropian ndan me Zelandën e Re. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me Zelandën e Re kundër atyre që me zili duan të shkatërrojnë shoqëritë tona dhe mënyrën tonë të jetesës”, thuhet në deklaratën e Juncker.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoaan, deklaroi se sulmi në Zelandë është shembull i rritjes së racizmit dhe islamofobisë.

“Dënoj fuqishëm sulmin terrorist në Zelandë të Re ndaj besimtarëve myslimanë. Në emër të vendit tim, i shpreh ngushëllimet e mia botës myslimane dhe popullit të Zelandës së Re, të cilët janë vënë në shënjestër nga ky veprim i mjerueshëm që është shembulli më i fundit i rritjes së racizmit dhe islamofobisë”, shkroi Erdogan në Twitter.

Sulmin e ka dënuar edhe kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, që njëjtë si Erdogan ka thënë se këto akte janë pasojë e islamofobisë dhe politikave kundër myslimanëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat