Sulmi që u frymëzua nga luftërat në ish-Jugosllavi

Bota

Sulmi që u frymëzua nga luftërat në ish-Jugosllavi

Më: 15 mars 2019 Në ora: 19:41
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një video 17-minutëshe, e një prej sulmeve që kanë ndodhur më 15 mars në Kristçërç të Zelandës së Re, nis me një skenë ku një burrë e identifikon veten si Brenton Tarrant, teksa niset drejt xhamisë, Al Noor, vend në të cilin janë vrarë 41 persona. Në prapavijë, dëgjohet një këngë nacionaliste serbe dhe një zë robotik që drejton Tarrant në rrugën për ku është nisur.

Kënga është thënë të jetë krijuar më 1995, gjatë luftërave që kanë rezultuar me shpërbërje të Jugosllavisë në vitet 1990, dhe me vdekjen e rreth 130,000 personave. Kënga, që në fillim është quajtur “Karaxhiq, udhëheq serbët e tu”, i referohet liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i ashtuquajtur edhe si Kasap i Ballkanit, që është dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar më 2016, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Ujqërit po vijnë, kujdes ustashë dhe turq”, thuhet në një pjesë të tekstit, e cila u referohet luftëtarëve nacionalistë kroatë dhe myslimanëve boshnjakë.

“Karaxhiq, udhëheq serbët e tu. Udhëheq serbët e tu. Të gjithë duhet të shohin se ne nuk i frikësohemi askujt”.

“Në mbrojtje të popullit serb, duke luftuar për lirinë tonë të dashur, lirinë tonë të dashur”, vazhdon teksti i këngës.

Videoja e kësaj kënge, që duket se është incizuar më 1995, mirëpo është publikuar për herë të parë në internet më 2006, është bërë tejet e famshme në mesin e nacionalistëve të bardhë radikalë. Në disa pamje, shihen tre burra me uniforma të paramilitarëve etnikë serbë, duke kënduar këtë këngë.

Pamja e hekurt e pjesëtarit, Novislav Gjajiq, është bërë tejet e famshme në mesin e nacionalistëve, me mbishkrimin, “Një fytyrë e tillë ushtari”.

Gjajiq ishte akuzuar në Gjermani për pjesëmarrje në gjenocid më 1997. Ai ishte liruar më pas nga akuzat për gjenocid, mirëpo është dënuar për bashkëpunim në 14 vrasje dhe është dënuar me pesë vjet burgim. Pas lirimit, ai është dëbuar në një shtet të tretë.

Teksti i këngës është rishkruar disa herë, në shumë gjuhë, mirëpo gjithmonë duke qenë prezente pjesë militante anti-myslimane.

Kjo këngë titullohet Serbia e Fuqishme apo me tituj tjerë anti-myslimanë, që kanë nisur të përdoren fillimisht në Serbi dhe më pas janë përdorur edhe nga supremacistët e bardhë në Evropë dhe gjithë botën.

Fotografia e personit, i cili dyshohet të ketë kryer sulmin terrorist në Zelandë të Re

Autoritetet e Zelandës së Re e kanë identifikuar sulmuesin, që tani është në mbajtje si një 28 vjeçar australian. Mirëpo raportimet kanë konfirmuar se i dyshuari, që është akuzuar për vrasje, e ka përshkruar veten si “ento-nacionalist” me emrin, Brenton Tarrant, i cili gjatë sulmit ka publikuar video direkte në rrjete sociale.

Pak para sulmit, në të cilin kanë vdekur 49 persona, Tarrant ka publikuar një manifest 74 faqesh, në të cilin ai përmend se ka punuar në këtë dokument për një periudhë.

Në disa pamje direkte të videos që ka qarkulluar në kohë reale, në armët e sulmuesit janë parë emra të serbëve si Millosh Obiliqi dhe Car Llazari, që së bashku kanë luftuar kundër otomanëve në Betejën e Kosovës më 1389. Përveç këtyre dy emrave shihen edhe shumë emra të luftëtarëve të asaj kohe që kanë luftuar kundër turqve.

Në këtë dokument, Tarrant mohon se është anëtar i ndonjë organizate, mirëpo pranon se “ai është frymëzuar” nga terroristi norvegjez i së djathtës ekstreme, Anders Breivik, që ka vrarë 77 persona në një sulm me bombë dhe armë zjarri në Oslo më 2011.

Para sulmit, Breivik pati publikuar 1,500 faqe të dokumenteve, me qindra referenca të konflikteve në Ballkan.

Bazuar në gazetën The Economist, Kosova përmendet në dokumentet e Breivikut 143 herë, Serbia, 341 herë, Bosnja 343 herë dhe Shqipëria 208 herë.

Breivik ka shkruar se bombardimet e NATO-s në Serbi gjatë luftës në Kosovë më 1999, kanë qenë motivim i madh për sulmin e tij, duke thënë se ka qenë “plotësisht e papranueshme” që Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësitë evropiane “kanë bombarduar vëllezërit tanë serbë”.

Në manifestin e Tarrant, përmendet se Shtetet e Bashkuara duhet të dobësohen për të parandaluar një tjetër situatë sikurse ajo kur “forcat e SHBA-së dhe NATO-s kanë luftuar bashkë me myslimanët kundër të krishtërëve evropianë, ndonëse këta të fundit kanë bërë përpjekje të largojnë pushtuesit islamikë nga Evropa”.

Tarrant, që përshkruan veten në këtë manifest si “burrë të thjeshtë, të bardhë dhe 28 vjeçar”, me shtetësi australiane, e ka karakterizuar sulmin me elemente “anti-migrante, dhe kundër zëvendësimit të elementeve kulturore apo etnike”.

Tarrant pritet të paraqitet para gjykatës në Kristçërç më 16 mars.

E përditshmja, The New Zealand Herald e ka përshkruar sulmin në xhami si vrasjen më masive në këtë shtet nga viti 1943. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat