Zelandë e Re, nis varrimi i të vrarëve pas sulmit që la të paktën 49 të vdekur

Bota

Zelandë e Re, nis varrimi i të vrarëve pas sulmit që la të paktën 49 të vdekur

Më: 15 mars 2019 Në ora: 22:18
Zelandë e Re

Në Zelandën e Re nisi varrimi i personave që humbën jetën në dy xhami, një ditë pasi të paktën një person i armatosur sulmoi besimtarët, duke vrarë 49 dhe duke plagosur 42 prej tyre, ngjarje që Kryeministrja Jacinda Ardern e quajti një sulm terrorist.

Policia e Zelandës së Re ka ngritur akuza ndaj një 28 vjeçari, i cili sipas Kryeministres përdori 5 armë për të qëlluar kundër besimtarëve.

Në një manifest që kishte publikuar në media sociale, ai shprehte urrejtje për imigrantët dhe myslimanë dhe simpati për nacionalistët, përfshirë ata të Ballkanit.

Një fotografi e marrë nga interneti tregon të dyshuarin me armë brenda një makine. Televizioni Zelanda e Re (TVNZ) e identifikoi autorin si Brenton Tarrant nga Grafton, New South Wales, në Australi.

"Deri tani, një person në të 20-at është akuzuar për vrasje dhe do të dalë në gjykatë në Christchurch. Janë kapur edhe tre persona të tjerë. Ne besojmë se një prej tyre që ishte i armatosur, ishte në vendngjarje por nuk kishte lidhje me incidentin. Për dy personat e tjerë që janë kapur dhe që kishin armë, po punojmë për të zbuluar se çfarë roli kishin”, tha Mike Bush, Komisioneri i Policisë së Zelandës së re.

Ai shtoi se asnjë agjenci në Zelandën e Re apo në Australi nuk kishte informacion të mëparshëm lidhur me personat e ndaluar.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se vendi nuk kishte përjetuar kurrë më parë diçka të tillë si këto sulme.

"Shumë prej atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga sulmet, mund të jenë imigrantë apo refugjatë në Zelandën e Re. Ata kanë zgjedhur Zelandën e Re si shtëpinë e tyre dhe ajo është shtëpia e tyre. Ata janë pjesë e jona. Personi që kreu dhunën kundër nesh, nuk është. Njerëz si ai nuk kanë vend në Zelandën e Re. Nuk ka vend këtu për akte të tilla të një dhune ekstreme dhe të pashembullt”, tha ajo.

Image
Jacinda Ardern

Pas sulmeve, policia u bëri thirrje njerëzve të shmangnin xhamitë pasi nuk ishte e qartë, nëse ishin arrestuar të gjithë personat e përfshirë në sulm.

Ndërsa besimtarët e tronditur, largoheshin nga një prej xhamive, njëri prej tyre tha se kishte shkëmbyer disa fjalë me njeriun që sulmoi.

"Ai erdhi pranë dhe unë i thashë ‘Si ia kalon?’. Ai nuk m’u përgjigj. M’i kishte ngulur sytë. Hapi zjarr dhe unë fillova të vrapoj. Pastaj hyri brenda dhe nisi t’i vriste njerëzit një nga një. Disa njerëz vdiqën, disa u plagosën”, tha ish-presidenti i xhamisë së Masjid al Noorit.

Image
Zelandë e Re

Policia thotë se mbi 20 vetë janë plagosur, disa rëndë.

Tarrant, la një manifest prej 74 faqesh kundër emigrantëve, në të cilin shpjegon se kush është dhe cilat janë arsyet e sulmit. Ai tha për veten se është një racist australian 28 vjeçar. Në manifest ai i rikthehet më shpesh, konfliktit mes popujve me origjinë evropiane dhe myslimanëve, shpesh duke e vënë në kontekstin e kryqëzatave.

Ai thotë se çka e nxiti të mendonte për të ndërmarrë akte të dhunshme, ishte një udhëtim në Evropën Perëndimore në vitin 2017.

Gjatë asaj kohe në Stokholm një uzbek goditi një turmë me kamion, ku u vranë pesë vetë. Ai gjithashtu përshkruan indinjatën kur shihte në Francë, imigrantë nëpër qytetet që vizitoi.

Tarrant kishte postuar në internet edhe fotografi të simboleve nacionaliste të Ballkanit dhe një deklaratë ku kritikohej përfshirja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Një video tregonte gjithashtu se para se të hapte zjarr, ai luante në radion e makinës një këngë që nderonte udhëheqësin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Radovan Karadzic.

Sulmet masive në Zelandën e Re janë jashtëzakonisht të rralla. Më vdekjeprurësi në historinë bashkëkohore ndodhi në qytetin e vogël të Aramoanës në vitin 1990, kur David Grey vrau 13 njerëz pas një mosmarrëveshjeje me një fqinj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat