SHBA njeh sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan - Bota Sot
SHBA njeh sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan

Bota

SHBA njeh sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan

Më: 21 mars 2019 Në ora: 22:39

Presidenti Donald Trump tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po njohin sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan, territori sirian që Izraeli pushtoi në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967 dhe që e mban nën kontroll që nga ajo kohë.

Në një koment në Twitter, Presidenti tha se Lartësitë Golan "janë me rëndësi të madhe strategjike dhe sigurie për shtetin e Izraelit dhe Stabilitetin Rajonal!"

Deklarata e Presidentit Trump erdhi ndërkohë që Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte në Jeruzalem, duke u bërë zyrtari më i lartë i SHBA deri më sot që viziton Murin e kontestuar Perëndimor në qytetin e shenjtë të Jerusalemit në shoqërinë e një udhëheqësi izraelit, kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Vizita sinjalizonte ndoshta njohjen e heshtur nga SHBA të kontrollit izraelit mbi këtë objekt të shenjtë hebre, por ajo u pasua menjëherë nga njoftimi konkret i Presidentit Trump mbi Lartësitë Golan.

Kryeministri Netanjahu ka akuzuar Iranin se po përpiqet të ndërmarrë sulme kundër Izraelit nga Lartësitë Golan, duke thënë: "Për këtë dhe për shumë arsye të tjera, mendoj se është koha që bashkësia ndërkombëtare të njohë qëndrimin e Izraelit në Golan, dhe faktin që Golani do të mbetet përgjithmonë pjesë e shtetit të Izraelit".

Udhëheqësi izraelit vlerësoi vendimin e Presidentit Trump menjëherë pas njoftimit të bërë prej tij.

"Presidenti Trump sapo ka bërë histori," tha zoti Netanyahu pas një bisede telefonike me udhëheqësin e SHBA. "Mesazhi që Presidenti Trump i dha botës është se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e SHBA.”

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin vjetor për të drejtat e njeriut, hoqi shprehjen "të pushtuara nga Izraeli" nga pjesa për Lartësitë Golan, duke i quajtur "të kontrolluara nga Izraeli". Zoti Pompeo u tha gazetarëve se ndryshimi në terminologji nuk ishte aksidental, por një pasqyrim i realitetit në terren se ky territor kontrollohet nga shteti hebre.

Në vizitën e tij në Jeruzalem, Sekretari Pompeo riafirmoi miqësinë e gjatë dhe mbështetjen e SHBA për Izraelin.

Ai akuzoi Teheranin se përpiqet "për asgjësimin dhe shkatërrimin" e Izraelit.

Lartësitë Golan kapin rreth 1,800 kilometra katrorë dhe ndodhen në skajin verilindor të Izraelit përgjatë kufirit të tij me Sirinë. Dy të tretat kontrollohen nga Izraeli dhe pjesa tjetër ndodhet nën kontrollin e kontestuar sirian. Gjatë luftës civile tetëvjeçare në Siri ka patur shumë beteja për kontrollin e këtyre lartësive.

Pas luftës së vitit 1967, Izraeli e aneksoi zyrtarisht territorin në vitin 1981. Por komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur aneksimin dhe i konsideron Lartësitë Golan si territor të pushtuar.

MURI PERËNDIMOR

Presidenti Trump dhe udhëheqës të tjerë të lartë të SHBA e kanë vizituar Murin Perëndimor privatisht në të kaluarën, por jo me një udhëheqës izraelit.

Muri Perëndimor ndodhet nën lagjen myslimane të qytetit të vjetër në Jeruzalemin lindor që u pushtua nga izraelitët në Luftën Gjashtëditore.

Por, për dekada me radhë, zyrtarët e lartë të SHBA kishin refuzuar të vizitonin këtë objekt nën shoqërinë e udhëheqësve izraelitë, për të shprehur një sens paanshmërie, nëse një ditë do të merret vendimi për krijimin e një shteti palestinez.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...