DASH hedh poshtë akuzat për ndërhyrje të ambasadores në Ukrainë

Bota

DASH hedh poshtë akuzat për ndërhyrje të ambasadores në Ukrainë

Më: 21 mars 2019 Në ora: 23:25
Ambasadorja e SHBA në Ukrainë, Marie Yovanovitch

Një deputet ukrainas i kërkoi prokurorit të përgjithshëm të vendit Yuriy Lutsenko të paraqesë dëshmi për akuzat e ngritura prej tij se ambasadorja e SHBA në Ukrainë, Marie Yovanovitch, i ka dhënë atij një listë të njerëzve që nuk duhet të ndiqen penalisht - pretendim që SHBA e hodhën poshtë menjëherë.

"Deklarata e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës nuk korrespondon me realitetin dhe ka për qëllim të dobësojë emrin e ambasadores Yovanovitch," tha Departamenti i Shtetit.

Prokurori i Përgjithshëm Lutsenko, i cili thotë se nuk e pranoi kërkesën, bëri komentet në një intervistë me televizionin “The Hill” të Uashingtonit, që u transmetua të mërkurën, pak ditë pasi ambasadorja Yovanovitch kritikoi ashpër Ukrainën për luftën e pakët kundër korrupsionit në prag të zgjedhjeve presidenciale të 31 marsit.

Ajo bëri thirrje për shkarkimin e prokurorit të posaçëm të antikorrupsionit, i cili është akuzuar se ka ndihmuar persona të dyshuar për t’iu shmangur akuzave për korrupsion.

Kandidatët në garën presidenciale të 31 marsit janë përpjekur ta përshkruajnë presidentin e tanishëm Petro Poroshenko si dikush që nuk e ka luftuar korrupsionin dhe abuzimet me pushtetit që kur erdhi në detyrë në mesin e vitit 2014.

Të enjten, “Pravda e Ukrainës” njoftoi se deputeti Mustafa Nayem ka kërkuar të dijë nëse Lutsenko ose qeveria ka marrë ndonjë veprim në përgjigje të "listës së të paprekshmëve" dhe, nëse lista ekziston, përse zoti Lutsenko nuk e ka treguar këtë më parë.

Lutsenko, ish-reporter për çështjet e kriminalitetit dhe dikur aleat i presidentit Petro Poroshenko, i njihet merita për thirrjet që bëri në mediat sociale dhe që nxitën protestat e vitit 2014, të cilat rrëzuan ish presidentin pro-rus Viktor Janukoviç. Pas hyrjes në parlament si anëtar i partisë së Poroshenkos, ai është larguar nga kjo parti, duke mbështetur një kandidat të tretë pro-demokracisë.

Poroshenko, i cili po bën fushatë me një platformë anti-korrupsioni dhe ka deklaruar se do t’i rezistojë ndikimit të huaj të çdo lloji, e emëroi Lutsenkon Prokuror të Përgjithshëm në vitin 2016, pavarësisht faktit se ai nuk kishte asnjë trajnim në fushën juridike.

"Nëse kjo është e vërtetë dhe Yuriy Lutsenko nuk na mashtron, atëherë veprimet e lartpërmendura të ambasadores amerikane në Ukrainë janë objekt i nenit 343 të Kodit Penal për “ndërhyrje në veprimtarinë e një zyrtari ligjzbatues,” tha deputeti Nayem. Grindja diplomatike vjen më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat