OKB miraton rezolutë kundër okupimit izraelit në Lartësirat e Golanit

Bota

OKB miraton rezolutë kundër okupimit izraelit në Lartësirat e Golanit

Më: 22 mars 2019 Në ora: 16:38
Foto ilustruese

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi një rezolutë e cila kundërshton pushtimin izraelit mbi Lartësirat e Golanit dhe i bën thirrje Izraelit të respektojë të gjitha rezolutat e OKB-së, përfshirë edhe atë me numër 497, raporton Anadolu Agency (AA).

Rezoluta, e parashtruar nga Pakistani, u miratua në ditën e fundit të seancës së 40-të të këshillit në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Në votimin e kryer pas fjalimeve, rezoluta u miratua me 5 vota të përmbajtura, 16 kundër dhe 26 pro nga gjithsej 47 anëtarë.

Australia, Austria, Brazili, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, hungaria, Islanda, Japonia, Sllovakia, Spanja, Togo, Ukraina dhe Birtania votuan kundër rezolutës.

Rezoluta në mënyrë të veçantë specifikon nevojën që Izraeli të respektojë Rezolutën 497 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1981, e cila e cilëson si të paligshëm okupimin izraelit mbi territoret palestineze dhe Lartësirat e Golanit.

“Vendimi i Izraelit për të zbatuar ligjet, gjyqësorin dhe administratën e tij në Golanin e pushtuar është i pavlefshëm dhe nuk ka validitet ndërkombëtar”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta po ashtu nënvizon që Izraeli duhet të lejojë që sirianët në Lartësirat e Golanit të vizitojnë familjet në atdheun e tyre, të sigurohet qasja e organizatave ndërkombëtare në rajon dhe të lirohen të gjithë të burgosurit sirianë, përfshirë edhe ata që vuajnë tashmë 30 vite në burgjet izraelite.

Më herët gjatë ditës, këshilli miratoi edhe një rezolutë tjetër, e cila fuqizon praninë e OKB-së në territoret e pushtuara palestineze dhe dënon Izraelin.

Rezoluta u parashtrua nga Bahreini, Bolivia, Kuba, Senegali, Venezuela, Zimbambve dhe Palestina dhe u miratua me 15 vota të përmbajtura, tetë kundër dhe 23 pro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat