Udhëheqësit botërorë kritikojnë njoftimin e Presidentit Trump për Lartësitë Golan

Bota

Udhëheqësit botërorë kritikojnë njoftimin e Presidentit Trump për Lartësitë Golan

Më: 22 mars 2019 Në ora: 18:11
Lartësitë Golan u pushtuan nga Izraeli në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967 dhe kontrollohen nga Izraeli që nga ajo kohë.

Udhëheqësit botërorë po kritikojnë njoftimin e Presidentit të SHBA, Donald Trump se Shtetet e Bashkuara do të njohin sovranitetin izraelit mbi lartësitë e Golanit.

Ministria e jashtme e Sirisë tha të premten se njoftimi i Presidentit Trump është "i papërgjegjshëm" dhe nuk ndryshon "faktin se Golani ishte dhe do të mbetet arab dhe sirian". Një burim i ministrisë së jashtme i tha agjencisë zyrtare të lajmeve të Sirisë SANA se njoftimi "pasqyron qartë mospërfilljen e Shteteve të Bashkuara për legjitimitetin ndërkombëtar dhe shkeljen flagrante të ligjit amerikan".

Lartësitë Golan u pushtuan nga Izraeli në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967 dhe kontrollohen nga Izraeli që nga ajo kohë.

Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha se njoftimi i zotit Trump e ka sjellë rajonin "në prag të një krize të re dhe tensioneve të reja". Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu u tha anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll se "sulmet sistematike të Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aqsa prej vitesh" janë prova që Izraeli nuk ka respekt për besimet dhe vendet e shenjta ose tolerancën për të jetuar së bashku. "Çavusoglu shtoi se "Komentet e papranueshme të Presidentit Donald Trump mbi Lartësitë Golan ushqejnë këtë mentalitet të deformuar".

Shefi i Lidhjes Arabe, Ahmed Aboul Gheit, gjithashtu kritikoi njoftimin, duke thënë, "Asnjë vend, pavarësisht se sa e rëndësishme është, mund të marrë një vendim të tillë".

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, një grup prej gjashtë monarkish arabe, tha se deklarata e Presidentit Trump "nuk do të ndryshojë realitetin që ... Lartësitë arabe të Golanit janë tokë siriane të pushtuara nga Izraeli me forcë ushtarake" dhe minon "shanset për arritjen e një paqeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse."

Ministria e jashtme e Egjiptit e dënoi deklaratën e Presidentit Trump, duke përmendur rezolutën 497 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kundërshton aneksimin e territorit nga Izraeli. Ministria theksoi se udhëheqësit globalë "duhet të respektojnë rezolutat me legjitimitet ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara në lidhje me papranueshmërinë e marrjes së një territori me forcë".

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se "Vendimet personale të z. Trump ... do të sjellinë krizë në rajon."

Bashkimi Evropian theksoi se nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi zonën e kontestuar. "Pozicioni i BE nuk ka ndryshuar," tha një zëdhënëse e BE-së për agjencinë Reuters.

Rusia shprehu shpresë se thirrja e zotit Trump për njohjen e sovranitetit të Izraelit nuk do të miratohet. "Tani për tani, kjo është vetëm një thirrje," tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.

Presidenti Trump e bëri njoftimin të enjten nëpërmjet Twitterit, duke thënë se Lartësitë Golan "janë me rëndësi kritike strategjike dhe të sigurisë për shtetin e Izraelit dhe stabilitetin rajonal!"

Komentet erdhën ndërkohë që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ishte në Jeruzalem, duke u bërë zyrtari më i lartë amerikan që viziton Murin Perëndimor, një pjesë e qytetit mbi të cilën kanë pretendime si izraelitët, ashtu edhe palestinezët në Jeruzalem.

Vizita u pa si një sinjal se Shtetet e Bashkuara po shprehin njohje të heshtur për pretendimin e Izraelit, ndërkohë që u pasua menjëherë nga njoftimi për Lartësitë Golan.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Iranin se përpiqet të ndërmarrë sulme kundër Izraelit nga Lartësitë Golan, duke thënë “Mendoj se për këtë arsye dhe për shumë të tjera, ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të njohë kontrollin izraelit mbi Golan dhe faktin se Lartësitë Golan do të mbeten gjithmonë pjesë e Shtetit të Izraelit”.

Udhëheqësi izraelit përshëndeti vendimin e Presidentit Trump pak pas njoftimit.

“Presidenti Trump sapo ka bërë një akt historik,” tha Kryeministri Netanyahu, pasi i telefonoi udhëheqësit amerikan. “Mesazhi që Presidenti Trump i ka përcjellë botës është se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë mbështetje”.

Javën e kaluar, në raportin për të drejtat e njeriut, Departamenti i Shtetit nuk kishte përdorur shprehjen Lartësitë “e pushtuara” Golan, por duke e quajtur territorin thjesht “i kontrolluar nga Izraeli”. Sekretari i Shtetit Pompeo tha në komentet për shtyp se ndryshimi në frazologji nuk ishte i rastësishëm dhe se pasqyronte realitetin në terren – faktin që Izraeli e kontrollon këtë territor.

Izraeli e aneksoi këtë territor në vitin 1981. Por komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur aneksimin dhe i konsideron Lartësitë Golan një territor të pushtuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat