OKB i kërkon A.Saudite transparencë për rastin Khashoggi

Bota

OKB i kërkon A.Saudite transparencë për rastin Khashoggi

Më: 28 mars 2019 Në ora: 20:13
Raportuesja speciale e OKB-së, Agnes Callamard.

Seancat private të Arabisë Saudite për 11 të dyshuarit e akuzuar për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi shkelin ligjin ndërkombëtar dhe duhet të jenë të hapura për publik dhe vëzhgues gjyqësorë, ka thënë raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard.

Ajo ka dënuar atë që ka cilësuar si mungesë të transparencës në hetimet që është duke kryer Mbretëria Saudite për këtë rast.

Callamard u ka bërë thirrje autoriteteve saudite që të publikojnë emrat e të pandehurve.

“Procedurat aktuale janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, i cili përcakton të drejtën për seanca të hapura”, ka thënë Callamard përmes një deklarate.

“Qeveria e Arabisë Saudite gabon nëse mendon se këto procedura, do të përmbushin pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar”, ka shtuar ajo.

Prokurori Publik i Arabisë Saudite ka paditur 11 të dyshuar të paidentifikuar në muajin nëntor, duke përfshirë pesë persona që mund të përballen me dënim me vdekje, lidhur me akuzat për urdhërim dhe kryerje të krimit.

Disa shtete perëndimore bashkë me CIA-n besojnë se Princi saudit, Mohammed bin Salman, ka urdhëruar vrasjen, pretendim që kundërshtohet nga zyrtarët sauditë.

Megjithatë Callamard ka thënë edhe në një shkrim për Washington Post se zyrtarët e lartë sauditë do të jenë “penalisht përgjegjës” nëse dështojnë që të hetojnë dhe ndëshkojnë ata që kanë përgjegjësi për këtë vrasje.

Khashoggi, kolumnist për Washington Post, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara, është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll në tetor të vitit 2018.

Zyrtarët sauditë fillimisht kanë mohuar vrasjen e tij, mirëpo pas presionit ndërkombëtar është kuptuar se trupi i tij është copëtuar në ambientet e ambasadës.

Trupi i Khashoggit, pavarësisht thirrjeve, nuk është gjetur ende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat