SHBA-ja do ta shpallë organizatë terroriste njësinë elitare të ushtrisë iraniane

Bota

SHBA-ja do ta shpallë organizatë terroriste njësinë elitare të ushtrisë iraniane

Më: 6 prill 2019 Në ora: 12:22
SHBA-ja do ta shpallë organizatë terroriste njësinë elitare të ushtrisë iraniane

Pritet që Shtetet e Bashkuara t’i shpallin si organizatë terroriste Rojet Revolucionare të Iranit, të cilat paraqesin njësinë elitare të këtij shteti. Kjo do të ishte hera e parë që SHBA-ja e cilëson si organizatë terroriste ushtrinë e një vendi tjetër.

Për këtë vendim ka pasur thashetheme për një kohë të gjatë, por zyrtarët amerikanë kanë thënë se ai pritet të merret zyrtarisht të hënën e javës së ardhshme. Analistët thonë se ky vendim mund të ndikojë që shtetet me marrëdhënie jo të mira me SHBA-në të marrin masa të njëjta ndaj zyrtarëve amerikanë të sektorëve të inteligjencës dhe ushtrisë.

Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe misioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk kanë dhënë komente lidhur me këtë zhvillim. Sidoqoftë, besohet që ky vendim është mbështetur nga sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. Një masë e tillë do të ishte vazhdimësi e qasjes së ashpër të presidentit Trump ndaj Tehranit zyrtar.

Vendimi kundër Rojeve Revolucionare të Iranit do të vinte në njëvjetorin e vendimit të presidentit amerikan për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja nukleare me Iranin, e cila ishte arritur në vitin 2015.

Në vitin 2017, komandanti i Rojeve Revolucionare të Iranit, Mohammad Ali Jafari, kishte paralajmëruar se ky shtet do ta cilësonte ushtrinë amerikane njësoj si Shtetin Islamik në rast se SHBA-ja i shpall organizatë terroriste forcat elitare iraniane, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat