Kryeministri i Libisë kritikon "heshtjen" e aleatëve ndërkombëtarë

Bota

Kryeministri i Libisë kritikon "heshtjen" e aleatëve ndërkombëtarë

Më: 19 prill 2019 Në ora: 09:28
Forcat e gjeneralit Khalifa Haftar synojnë të marrin kontrollin e Tripolit.

Kryeministri i Libisë, Fayez al-Serraj, e dënoi, siç tha, "heshtjen" e aleatëve të tij ndërkombëtarë derisa forcat kundërshtare po përparojnë në Tripoli.

Al-Serraj, i cili mbështetet nga Kombet e Bashkuara, po përballet me një kryengritje të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.

Forcat e Haftarit, të cilat mbështesin një administratë paralele në lindje të Libisë, synojnë të vënë nën kontroll edhe kryeqytetin Tripoli.

Mbi 200 njerëz janë vrarë prejse kanë nisur luftimet më 4 prill, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Derisa dhuna vazhdon, Al-Serraj tha për BBC-në se njerëzit "kanë nisur të ndjehen të braktisur nga bota".

Ai tha se dështimi për të mbështetur qeverinë e tij, të njohur ndërkombëtarisht, "mund të çojë në pasoja të tjera".

Al-Serraj tha se ka rrezik që grupi militant Shteti Islamik të përfitojë nga paqëndrueshmëria.

"Publiku është i irrituar nga heshtja e bashkësisë ndërkombëtare", tha ai.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për ndaljen e armiqësive.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike që nga koha kur sunduesi veteran, Muammar Gaddafi, është përmbysur nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat