Del nga kontrolli epidemia e Ebolas në Kongo - Bota Sot
Del nga kontrolli epidemia e Ebolas në Kongo

Bota

Del nga kontrolli epidemia e Ebolas në Kongo

Më: 15 maj 2019 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Ekspertët shëndetësorë dhe shefat e shoqatave për ndihma kanë paralajmëruar se epidemia e Ebolas në Kongon e prekur nga konfliktet ka dalë nga kontrolli dhe situata mund të bëhet serioze si në periudhën mes viteve 2013 dhe 2016, kur sëmundja i kishte goditur rëndë tri shtete në perëndim të Afrikës.

Rastet e reja në muajin e kaluar janë rritur me shpejtësinë më të madhe që nga përhapja e sëmundjes vitin e kaluar. Agjencitë e ndihmave po përpiqen që të ndërhyjnë përmes sistemit shëndetësor në zonat që janë lënë anash me dekada të tëra dhe që janë goditur nga konflikti i grupeve të armatosura.

“Jam shumë i brengosur, aq shumë sa mund të jetë një njeri”, tha Jeremy Farrar, udhëheqës i fondacionit “Welcome Trust”, i cili bëri thirrje për armëpushim për t’ua mundësuar ekipeve shëndetësore vizitat te personat e sëmurë dhe për t’i mbrojtur njerëzit tjerë.

Ai tha se një armëpushim prej gjashtë deri nëntë muajve, i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara ose Kryqi i Kuq, është jetik për ndalimin e përhapjes së Ebolas. “Ka pasur dhunë edhe në perëndim të Afrikës, por kjo është në një shkallë tjetër dhe po vjen nga burime të shumëfishta”, shtoi Farrar.

Më shumë se 1600 njerëz janë infektuar me virusin e Ebolas në rajonin e Kivus Verior në Republikën Demokratike të Kongos dhe më shumë se një mijë kanë vdekur. Shumica e personave të vdekur janë gra dhe fëmijë, shkruan “The Guardian”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...