Mueller, deklaratë rreth hetimit për Rusinë: Akuzimi i Trumpit nuk ka ekzistuar si mundësi

Bota

Mueller, deklaratë rreth hetimit për Rusinë: Akuzimi i Trumpit nuk ka ekzistuar si mundësi

Më: 29 maj 2019 Në ora: 22:33
Robert Mueller

Këshilltari Special, Robert Mueller, ka thënë se akuzimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për ndonjë krim, nuk ka ekzistuar si mundësi, bazuar në rregulloren e Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Sipas tij, do të ishte e padrejtë që dikush potencialisht të akuzohej për krim kur nuk do të kishte mundësi që rasti të paraqitej në gjykatë.

Mueller ka thënë po ashtu se edhe nëse dëshmon para Kongresit amerikan për hetimet e tij, ai nuk do të ofrojë ndonjë informacion që nuk gjendet në raport.

Për dy vjet, Mueller dhe ekipi i tij kanë hetuar nëse ka pasur bashkëpunim në mes të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe Rusisë.

Në një përmbledhje të redaktuar, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr ka thënë se Mueller nuk ka gjetur se ka prova të mjaftueshme që Trump ka bashkëpunuar me Rusinë, pavarësisht pse janë vërtetuar përfundimet e agjencive amerikane të Inteligjencës, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Këto janë komentet e para publike të prokurorit të posaçëm rreth hetimit që zgjati 22 muaj.

Deklarata e zotit Mueller vjen pas një shkrimi të publikuar në gazetën The Guardian e cila i referohet një libri të ri me autor Michael Wolff ku pretendohet se Prokurori i Posaçëm kishte përgatitur një padi me tri akuza kundër zotit Trump, përpara se të vendoste t’i hiqte ato.

Zëdhënësi i Prokurorit të Posaçëm Peter Carr i tha gazetës The Guardian se “dokumentet për të cilat ajo flet nuk ekzistojnë”.

Zoti Mueller e përfundoi hetimin e tij rreth nderhyrjes së Rusisë në zgjedhje në fund të muajit mars duke dalë në përfundimin se nuk gjeti prova për një marrëveshje të fshehtë mes zyrtarëve të fushatës presidenciale të zotit Donald Trump dhe Moskës. Megjithatë ai nuk doli në një përfundim lidhur me pyetjen nëse Presidenti Trump pengoi drejtësinë në një përpjekje për të penguar hetimin ndaj Rusisë.

Në një koment të mëparshëm përpara anëtarëve të Kongresit, Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha se ai nuk kishte gjetur prova se zoti Trump të kishte penguar drejtësinë.

Demokratët e Kongresit e kanë akuzuar zotin Barr për keqinterpretim të konkluzioneve të raportit Mueller dhe kanë kërkuar që vetë Prokurori i Posaçëm të dëshmojë përpara Kongresit.

Si zoti Trump ashtu edhe zoti Barr kanë thënë se nuk kanë asnjë kundërshtim që zoti Mueller të dëshmojë, por vetë zoti Mueller nuk ka thënë nëse do të dëshmojë apo jo. za, rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat