Barazia gjinore, asnjë vend në botë nuk e garanton brenda 2030-s

Bota

Barazia gjinore, asnjë vend në botë nuk e garanton brenda 2030-s

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 09:20
Ilustrim

Asnjë vend në botë nuk ka për të arritur objektivat për barazi gjinore deri në vitin 2030, siç është parashikuar, sipas indeksit të parë që ka matur progresin për një set objektivash të rakorduar ndërkombëtarisht.

Melinda Gates, bashkëdrejtuese e Fondacionit “Bill & Melinda Gates”, thotë se indeksi i publikuar këtë të hënë “duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për botën”.

Edhe vendet nordike, të cilat renditen mes vendeve më të larta në indeks, duhet të hedhin hapa të mëdhenj për të përmbushur angazhimet për barazi gjinore në 17 objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), të cilat janë nënshkruar nga 193 shtete në vitin 2015. Objektivat konsiderohen si udhërrëfyesi i përpjekjeve globale për t’i dhënë fund varfërisë dhe pabarazisë, e për të ndalur krizën klimatike. Afati përfundimtar për t’i përmbushur ato është viti 2030.

Indeksi përurues “SDG Genger Index”, i hartuar nga partneriteti “Equal Measures 2030”, zbuloi se 2.8 miliardë gra dhe vajza jetojnë aktualisht në vende që nuk po bëjnë sa duhet për të përmirësuar jetët e tyre.

Indeksi mati progresin në 129 vende, duke i renditur ato sipas një shkalle nga zero në 100, me këtë kufi fundor që tregon se barazia gjinore është arritur, bazuar mbi 51 objektiva në 14 fusha të ndryshme. Këto objektiva i referohen specifikisht barazisë gjinore, ose prekin problematika që kanë ndikim shproporcional mbi gratë dhe vajzat, si për shembull qasja e grave në transaksione “online” bankare apo në internet, apo edhe në burime të sigurta uji.

Sipas indeksit, vendet me një pikavarazh total prej mbi 90 po bëjnë një progres të shkëlqyer, ndërsa ato që renditen nga 59 e poshtë po bëjnë shumë pak hapa për arritjen e këtyre objektivave.

Mesatarja e përgjithshme për 129 vendet e përfshira në indeks, ku strehohen gati 95% e grave dhe vajzave të të gjithë botës, është 65.7, duke u konsideruar kësisoj një rezultat zhgënjyes në sistemin e vlerësimit.

Mospërfaqësimi i grave në Parlament, hendeku i madh i pagave bazuar në gjini, apo dhuna me natyrë gjinore ishin mes fushave ku janë hasur më shumë probleme për t’u zgjidhur në thuajse të gjitha vendet e përfshira. Vetëm 21 vende kanë arritur një vlerësim mbi 80, ndërsa kryeson Danimarka me 89.3. Në total, 21 vende regjistrojnë një pikavarazh më të ulët sesa 50, me Chadin që mbyll renditjen me vetëm 33.4 pikë. Shqipëria renditet në vendin e 51-të me 70.6 pikë, një vlerësim mbi mesataren e përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat