Kina: Legalizimi i kanabisit në ShBA është kërcënim për ne

Bota

Kina: Legalizimi i kanabisit në ShBA është kërcënim për ne

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 12:36
Liu Yuejin

Institucioni kryesor kinez për luftën kundër drogës ka thënë se legalizimi i kanabisit në Kanada dhe në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shkaktar i rritjes së madhe të trafikimit të kësaj droge në Kinë. Sipas zyrtarëve kinezë, ky është një kërcënim i ri për Kinën.

Gjatë një konference për gazetarë që u mbajt të hënën në Pekin, zëvendësdrejtori i Komisionit Kombëtar për Kontrollin e Drogës, Liu Yuejin, tha se numri i përdoruesve të kanabisit në Kinë është rritur për më shumë se 25 për qind në vitin 2018, duke shkuar në 24 mijë.

“Në dy vjetët e fundit kemi gjetur më shumë kanabis që është trafikuar nga Amerika Veriore në Kinë”, tha ai, ndonëse shtoi se Kina ka numër të vogël të përdoruesve të Kanabisit në raport me numrin e popullsisë.

Sipas këtij zyrtari, autoritetet kineze gjatë vitit 2018 i kanë gjetur dhe i kanë konfiskuar 115 pako që janë dërguar përmes shërbimeve ndërkombëtare të postës. Në këto pako është fshehur një sasi prej 55 kilogramësh kanabis ose prodhime të nxjerra nga kjo drogë.

Liu tha se shumica e personave të dyshuar për këto raste janë student të huaj ose studentë që janë kthyer në atdhe pas përfundimit të studimeve në shtetet e huaja. Ai nuk tregoi se sa pako me drogë kanë ardhur nga shtetet e Amerikës Veriore.

Kina ka ligje të ashpra për personat që kapen duke trafikuar substanca narkotike. Secili që zihet me më shumë se 50 gramë drogë mund të dënohet me vdekje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat