New York Times: Bota mbrëmë ishte në prag të luftës, Trump urdhëroi sulmet ndaj Iranit, por u tërhoq në momentin e fundit

Bota

New York Times: Bota mbrëmë ishte në prag të luftës, Trump urdhëroi sulmet ndaj Iranit, por u tërhoq në momentin e fundit

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 09:24
Donald Trump dhe Hassan Rohani

Presidenti amerikan Donald Trump miratoi  një sulm ndaj Iranit pas rrëzimit të një droni amerikan, por pas disa orësh ai tërhoqi vendimin e tij, shkruan sot gazeta amerikane New York Times.

Trump, siç thotë një zyrtar i paidentifikuar për gazetën, i vetëdijshëm për situatën fillimisht miratoi disa sulme ajrore në sistemet e radarëve dhe raketave. Është planifikuar që sulmet ajrore të kryhen në agim, në mënyrë që të reduktohet rreziku për popullatën civile.

Ky zyrtar ka thënë për New York Times se aeroplanët ishin në ajër dhe anijet ishin në pozitat e tyre kur urdhri për tërheqje erdhi.

Pretendohet se sulmi i mundshëm i SHBA-së, do të ishte kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të një droni amerikan, në vlerë prej 130 milionë dollarësh. Pas diskutimeve të gjata në Shtëpinë e Bardhë midis zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare të presidentit dhe udhëheqësve të Kongresit, pritej sulmi. Operacioni ishte tashmë gati për të filluar, por pastaj u anulua.

Ky vendim ndaloi atë që do të ishte veprimi i tretë ushtarak i presidentit kundër objektivave në Lindjen e Mesme. Nuk dihet nëse Trump thjesht e ndryshoi mendjen për sulmet apo u vonua për shkak të logjistikës apo strategjisë. Dje, Trump përmes një postimi në Twitter dënoi ashpër rrëzimin e dronit amerikan.

“Irani bëri një gabim shumë të madh!”, shkroi shkurt ai.

Kush ishte për dhe kundër sulmit?

Pas rrëzimit të dronit në vlerë 130 milionë dollarësh, këshilltarët e sigurisë kombëtare të Trumpit, ishin të ndarë në qëndrime nëse SHBA do të duhej të reagonte me përdorimin e forcës. Zyrtarë të lartë të administratës thanë sekretari i shtetit Mike Pompeo, këshilltari për siguri kombëtare John Bolton dhe Shefja e CIA-s, Gina Haspel ishin pro sulmit.

Megjithatë, zyrtarët e lartë të Pentagonit i paralajmëruan ata se një vendim i tillë mund të rezultojë me përshkallëzim të situatës dhe mund të ishte me rrezik të madh për forcat amerikane në rajon, shkruan New York Times.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte në lidhje me planet për sulm, por asnjë nga zyrtarët qeveritarë nuk kërkoi që artikulli mbi planet për sulmin të mos publikohej. “New York Times” shton se në këtë kohë nuk është e qartë nëse sulmi ndaj Iranit në fund të fundit do të realizohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat