Kina dhe Koreja e Veriut do të forcojnë bashkëpunimin dypalësh

Bota

Kina dhe Koreja e Veriut do të forcojnë bashkëpunimin dypalësh

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 11:22
Pamje nga takimi

Udhëheqësit kryesorë të Kinës e të Koresë së Veriut kanë zhvilluar bisedime në Phenian mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zgjidhjen e çështjes bërthamore të Gadishullit Korean.

Të dy liderët kanë rënë dakord të krijojnë një të ardhme të shkëlqyer të marrëdhënieve ndërpartiake e ndërshtetërore, në një pikënisje të re në histori.

 Presidenti Xi Jinping i tha Kim Jong Un-it se Kina është e vendosur për të ruajtur, konsoliduar dhe zhvilluar marrëdhëniet e saj me Korenë e Veriut dhe se të dy palët duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si arsimi, shëndetësia, sporti, mediet, shkëmbimet rinore, si edhe në nivel të pushtetit vendor.

 Nga ana e tij, Kim Jong Un-i tha lidhur me strategjinë e re të Koresë së Veriut se vendi i tij është i gatshëm të mësojë më shumë nga përvoja e Kinës dhe të përpiqet të zhvillojë ekonominë.

 Mbi çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, presidenti Xi ritheksoi mbështetjen e Kinës për të gjetur një zgjidhje politike dhe u shpreh se Kina është gatshme të ndihmojë në krijimin e kushteve të nevojshme për arritjen e kësaj zgjidhjeje.

  Xi Jinping-u vlerësoi lart përpjekjet e bëra nga pala verikoreane dhe tha se Kina dëshiron ta ndihmojë Korenë e Veriut lidhur me zgjidhjen e problemeve të saj të ligjshme të sigurisë dhe zhvillimit, dhe do të luajë një rol pozitiv dhe konstruktiv në arritjen e denuklearizimit të plotë.

 Kim Jong Un-i tha nga ana e tij se Koreja e Veriut do të ruajë durimin, duke shtuar se Pheniani dëshiron të arrihet një zgjidhje që mund të përputhet me shqetësimet e ligjshme të çdo pale.

 Ai shtoi se kjo mund të realizohet nëpërmjet procesit ekzistues të dialogut.

 Kim u shpreh se Koreja e Veriut do të vazhdojë të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Kinën, për të gjetur një zgjidhje politike.

Xi Jinping-u është kreu i parë i shtetit kinez që viziton Korenë e Veriut në 14 vjet. Ky është takimi i pestë mes Xi Jinping-ut dhe Kim Jong Un-it që nga viti i kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat