Trumpi propozon takim me Kim Jong-unin në zonën e çarmatosur mes dy Koreve

Bota

Trumpi propozon takim me Kim Jong-unin në zonën e çarmatosur mes dy Koreve

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 08:18
Kim Jong dhe Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka propozuar mbajtjen e një takimi me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, në zonën e çarmatosur që e ndan Korenë Veriore me Korenë Jugore.

Ai e dha këtë propozim përmes një postimi në Twitter, duke thënë se mund të takohet me diktatorin e Koresë Veriore gjatë vizitës që do ta realizojë në Korenë Jugore, pasi të largohet nga takimi i G20-ës në Osaka të Japonisë.

“Përderisa jam atje, nëse shefi Kim i Koresë Veriore e sheh këtë, do ta takoja atë në zonën e çarmatosur kufitare vetëm për t’ia shtrënguar dorën dhe për ta përshëndetur”, shkruhet në postimin e presidentit amerikan.

Koreja Veriore iu përgjigj kësaj ftese përmes agjencisë shtetërore të lajmeve. “E vlerësojmë këtë si propozim shumë interesant, por ne nuk kemi pranuar ende ftese zyrtare për një takim të tillë”, raportohet të ketë thënë zëvendësministri i parë i punëve të jashtëm i Koresë Veriore, Choe Son Hui, përmes kësaj agjencie.

Në anën tjetër, zyrtarët e Koresë Jugore gjithashtu thanë se nuk ka asgjë të konfirmuar sa i përket këtij takimi, duke shtuar: “Pozita jonë mbetet e pandryshuar. Ne shpresojmë që të ketë dialog mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore”, thuhet në deklaratën e presidencës së Koresë Jugore, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat